Udhëtimi i gabimit
Visar ZHITI
Ngaqë do të jetë nisur me asgjë, duket sikur nuk do të mbërrijë kurrë. Edhe po të besoje të kundërtën, se do të kishte kohë dhe mundësi të të gjente, prapë duhet ta ngatërrojë rrugën, gjithë ato linja, tokësore, detare, ajrore, drejtime nga më të pafundmet, dogana, rreptësi policësh, hungërima qensh, porte, era që fryn në to, aeroporte, radha e gjatë, bagazhet që vonohen, stacione, shina, trena, njohjet e rastësishme, kthimi i kokës, mbikalime, nënkalime, metro, autostrada, dalja te karburanti, shiu i papritur, postblloqe, taksi, udhë, rrugica të verbra, shtigje malore, kuaj, avionë lokalë, policë të tjerë, shi tjetër, vonesa, përsëritja e mërzisë si lëkundje e vazhdueshme karrocash, valë, telepati, e dija që do të më dilje përpara, postë elektronike, nuk më ke shkruar, viruse, zjarre të shuara sinjalesh të hershme, reklama që ua kalojnë zjarreve, turma, konferenca, moda e re, maska, pabe, grabitje bankash, shatërvanë, ura, varka, lumenj, anije të vjetra, gomone ilegale, mace, muzeume, shtëpi publike, britma etj., restorante, aksidente, vrasje, sirena e urgjencës, të gjithë duam ndihmë, librari, ashensorë, shkallë, shkallë të emergjencës, përplasja me dikë, të kërkuarit ndjesë dhe zhargon kryeqyteti etj., etj., por gjithsesi gabimi do të gabojë e ju s’kishit pse të takoheshit.
Dhe ti ndiheshe kaq larg gabimit, hënërisht përtej, pavarësisht se ia njihje valët dhe joshjen leshraverdhë, madje dhe aromën – pse, ka aromë gabimi? Hëna e tij natyrisht që po, një si lloj kashte dhe ere dhe puthjesh të humbura.
Po gabimi megjithatë ka intuitë dhe është njohës i mirë i gjithçkaje, sidomos i doracakëve, i guidave dhe i zyrave të emigracionit. Gabimi nuk gabon kurrë. Për sshembull, i njeh dyert pa qenë kurrë andej dhe di t’i gjejë më mirë ato, sesa postieri që shpërndan përditë letrat e gazetat. Madje di të futet dhe brenda në zarfe a nëpër lajmet e gazetës, në kryeartikuj, fjalime, në librat e porositur, adresa e-mail-esh dhe s’duket siç mund të shohësh një flutur të tharë ose petlat e vdekura.
Gabimi shpërndan dhe ftesa, të fton në takime të rëndësishme dhe ti ikën të marrësh pjesë me veturë, por edhe me tanks. Takoheni ballë për ballë dhe mund të jesh i armatosur deri në dhëmbë, por edhe lakuriq. Mund të jetë dita e fundit, por edhe ditë përjetësie. Me gabimin ndodhin të gjitha. Edhe kur zëri i tij është pa asnjë domethënie e të thotë fare zakonshëm se gabim e ke ti. Dhe ti do që të shënosh në ditarin tënd gabimin dhe pikërisht s’e gjen dot ose nuk e ke kuptuar. Kërkon të ndezësh dhe një cigare tjetër, por paketa paska mbaruar, e bën shuk dhe e hedh në anë të rrugës. Por e merr një lypës, e hap, gjen cigaren e fundit të shtrembëruar, e drejton, i zë të çarat me gishtat që i dridhen, dhe të lutet që t’ia ndezësh.
Bëj gabimin më të fundit, të lutem, atë me pakëz zjarr.
Po ti s’e di, sepse ike, s’e di që palltoja e përtharë e lypësit mori flakë, ndoshta nga ndonjë shkëndijë e cigares e, ndërsa vraponte i lemerisur, e u ngjesh pas një muri për t’u shuar, u ndez edhe muri, ngrehina u shkrumbua më pas, ishte bibliotekë, galeri, u dogjën vepra arti, libra, kujtesa kolektive, njerëz, ah, dhe ti s’more vesh asgjë, ishe kthyer diku, madje e kishe harruar edhe atë pakëz qortim të fshehtë që pe në sytë e lypësit, kur i ndeze atë cigaren e hedhur.
Se gabimi, po aq njëlloj, futet dhe në harresë më mirë se në makthe, dhe s’ke ç’t’i bësh.
As rrethinë, as qendër...
- Po, po, do të bërtas!.. aaaassss...
- ǒkeni, zonjë?
- I gjithë kryeqyteti ta marrë vesh! Dhe më përtej, e gjithë bota...
- Çfarë?!
- E padurueshme!.. e paaaa...uuueee...
- Ma thuaj! Ne prandaj jemi, që...
- Edhe ishit. Po unë pse jam?! Ndërsa ndërrohen pushtetet, sistemet, kryetarët, ë?!
- Po fol! ǒdo? Fol, se na plase!
- Kam plasur unë, jo ju. Ju vetëm të plasni!
- Jepi! Ku e ke hallin, shoqe, zonjë, si të pëlqen?
- Më pëlqen të bërtas. Dua! Aq sa të dridhen muret, të dridhën nga britma ime, të tunden edhe korridoret, shkallët, të shemben të gjitha, me dyer e kasaforta, dhe të fluturojnë shkresat tuaja jashtë, dosjet. Do të ulërij! Të lemerisen njerëzit më keq se ç’më kanë lemerisur...
- Po pse? ǒke, ç’të ka ndodhur?
- S’e di. Po të bërtas edhe unë një herë, sa pa më dalë shpirti.
22 Qershor 2009