E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: “Standardet në rrezik, 44 qendra votimi janë ndryshuar”



Një tjetër fenomen po dëmton rëndë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Shkak për këtë janë bërë drejtuesit e njësive vendore, të cilët kanë ndryshuar vendet e qendrave të votimit. Duket se një e gjë e tillë do të shkaktojë hallakatjen e votuesve, të cilët më 28 qershor nuk do ta gjejnë dot emrin në qendrat e votimit ku janë mësuar të votojnë tradicionalisht. Mësohet se deri tani 44 qendra votimi janë ndryshuar. Një shifër e tillë ka sjellë shqetësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili për të dytën ditë radhazi u ka bërë apel drejtuesve të pushtetit vendor që të mos ndryshojnë qendrat e votimit. Kësaj here reagimi i KQZ-së ka ardhur nga kryetari i saj, Arben Ristani, i cili tha se pushtetarët vendorë nuk duhet t’i ndryshojnë qendrat e votimit, pasi çdo ndryshim i mundshëm i tyre mund të shkaktojë anomali, veçanërisht ditën e zgjedhjeve. “Me gjithë thirrjet e njëpasnjëshme dhe masat administrative të herëpashershme që ne kemi marrë ndaj tyre, ky problem ka vazhduar dhe po kthehet në një gangrenë të vërtetë dhe rrezikon në këto momente të shkaktojë një kolaps të vërtetë sa i takon ditës së zgjedhjeve”, - tha kreu i KQZ-së Arben Ristani. Sipas tij, shumë nga drejtuesit vendorë, kundër të gjitha detyrimeve të Kodit Zgjedhor, kanë ndërmarrë hapa për të ndryshuar vendndodhjen e qendrave të votimit, por ajo që përbën shqetësimin më të madh është bashkimi i disa QV-ve ose ndarja e tyre. KQZ-ja pohon se një problematikë e tillë rrezikon që votues të ndryshëm të shkojnë në QV-të inekzistente.

Incident me armë para mitingut të PD-së, plagoset një person

Pak minuta para nisjes së një mitingu elektoral të nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefina Topalli në Velipojë janë dëgjuar krisma armësh, ndërsa një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja, sipas kryetarit të komunës së Velipojës, pretendohet se ka ndodhur pas një debati për motive politike mes dy personave, njëri prej të cilëve është Fran Vukaj, shoferi i kryetarit të komunës Velipojë. Sipas dëshmitarëve, fillimisht ka pasur përleshje trup më trup mes dy personave, ndërsa më pas janë përdorur edhe armët. Plagosja e shoferit të kreut të komunës është shkaktuar nga goditja në kokë me qytën e pistoletës dhe jo me plumb. I plagosuri është dërguar ne spital, ndërsa policia ka shoqëruar dëshmitarët e ngjarjes. Kryetari i komunës së Velipojës ka thënë se autori i plagosjes është një aktivist i majtë, por ky fakt mohohet nga përfaqësuesit socialistë të Velipojës, të cilët thonë se nuk e kanë pasur asnjëherë në aktivitetet e tyre personin në fjalë. Kjo ngjarje tregon tensionin që ka sjellë fushata elektorale në ditët e fundit të saj. Vetëm dy ditë më parë në zonën e Shkodrës ndodhi një ngjarje shumë më e rëndë kur kryetari i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe u vra në një atentat të mirëpërgatitur.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›