E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat 33- vjetarit, plagoset me dy plumba

Pogradec, Roland Çami është qëlluar nga dy persona vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Në kërkim autorët

POGRADEC- Një 33- vjeçar nga Pogradeci i ka shpëtuar fatmirësisht vdekjes teksa ka qenë viktima e një atentati në orët e para të ditës së djeshme. Ngjarja ka ndodhur në orën 01 e 30 minuta pas mesnate në lagjen numër pesë të qytetit dhe i plagosuri me dy plumba në bark është Roland Çami. Kanë qenë banorët e pallatit të tij ata që kanë dëgjuar krismat dhe kur kanë parë viktimën të shtrirë përdhe e kanë ndihmuar duke e dërguar në spital. Nga deklarimet e dëshmitarëve okularë dhe hetimet e para të policisë janë identifikuar dy persona si të dyshuar për ngjarjen. Ata janë Mariglen Topuzi dhe Erion Llapushi por nuk janë kapur ende nga policia e Pogradecit.

Roland Çami, nga Buçimasi dhe banor në lagjen nr 5 të qytetit të Pogradecit, me profesion shofer në një firmë private sapo ka lënë punën dhe ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, atje ku dikur ishte reparti ushtarak. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, sapo ai ka marrë kthesën për të hyrë në shtëpi është përballur me dy persona, që kanë hapur zjarr me pistoletë. Banorët e zonës kanë dëgjuar tre të shtëna e më pas britmat e 33- vjeçarit Roland Çami. Autorët, që sipas banorëve kanë qenë dy persona, janë larguar menjëherë me një veturë nga vendi i krimit. Pak minuta më pas policia ka kryer këqyrjen e vendngjarjes dhe ka gjetur gëzhojat e pistoletës që u qëllua Roland Çami. Më pas policia ka bllokuar të gjitha hyrje daljet e qyteti si dhe ka njoftuar dy doganat në Tushemisht dhe në Qafë- Thanë për dy personat e dyshuar si autorë të krimit, 22- vjeçarin Mariglen Topuzi dhe 20 -vjeçarin Erion Llapushi. Ky i fundit vetëm një javë para kishte dalë nga burgu për një plagosje më armë në këmbë të Andi Sulkollarit nga fshati Gështenjas. Me gjithë përpjekjet e policisë të dy autorët e dyshuar ende nuk janë kapur nga policia. Një person i paidentifikuar me emër iu ka thënë burimeve policore se Erion Llapushin, së bashku me një person tjetër, e ka parë në një veturë të kuqe herët në mëngjes duke ngjitur Qafën e Thanës. Ende nuk dihen motivet pasi autorët e plagosjes ende nuk janë kapur ndërkohë që i plagosur rëndë, 33- vjeçari Roland Çami ndodhet në reanimacionin e spitalit pa qenë në gjendje që të japë shpjegime rreth konfliktit që ka pasur me Erion Llapushin dhe Mariglen Topuzin.

Kirurgu Eqerem Zyferi, i cili ka kryer për disa orë operacion ndaj 33- vjeçarit Roland Cami, ka thënë për gazetën “Shekulli” se “një plumb shpues kishte depërtuar tejpërtej barkut të 33- vjeçarit kështu që mu desh nga dëmtimi që kishte pësuar që t’i heq 1,5 metër zorrë të dëmtuara”. Ndërkohë mjeku reanimator, Qamil Avdullari pohoi se gjendja është nën kontroll dhe ka përmirësime pas disa orësh pas operacionit dhe i plagosuri ka dalë jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›