E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Vlorës kundër heqjes së emrit Ismail Qemali

Kryetari i PS-së lokale ka kërkuar që rektori të tërhiqet dhe t’i rikthejë emrin e atdhetarit Universitetit të Vlorës

VLORË- Debatit të krijuar pas heqjes së emrit të Ismail Qemalit nga universiteti i Vlorës i është shtuar dje edhe Partia Socialiste. Kreu i PS-së lokale, Eltar Deda, ka kërkuar nga rektori që të tërhiqet dhe të rikthejë emrin e atdhetarit në stendën e universitetit. Sipas tij, heqja e emrit është bërë me dashakeqësi nga rektori Shaskaj.

“Është e pakuptueshme dhe dashakeqe heqja e emrit, për çfarëdo arsye, mendim apo hamendësim, sepse emri i tij është guri i themelit të shtetit shqiptar dhe çdo tjetërsim i emrit të këtij Universiteti do të prekte këtë vlerë. Precedenti i krijuar, u le vend individëve të rastësishem që të mund të prekin në çdo rast, dhe pa më të voglën vrasje të ndërgjegjes, vlerat tona të përbashkëta”,- tha dje kreu i PS-së së Vlorës. Sipas tij, i gjithë qyteti i Vlorës ka menduar fillimisht se heqja e emrit ishte thjesht një teori që do të kalonte por kjo më pas u kthye në një temë serioze. “Baza e kombit tonë, dhe e jona si individë është historia, personalitetet që kombi ynë ka nxjerrë dhe veprat e tyre të shquara, të cilat na bëjnë krenarë për atë që jemi sot. Nga historia e shtetit shqiptar, i pari dhe me të vërtetë i çmuar për gjithçka që dha për Shqipërinë, për atë që arriti në jetën e tij, për gjithë kulturën që mori nga jeta dhe ambienti ku jetoi, dhe për guximin ndaj një pengese të stërmadhe si perandoria osmane dhe fuqitë e mëdha, ishte patrioti i madh, Ismail Qemali. Rektori Shaska nuk mund të mos bëhej pjesë e manovrave politike, qofshin këto iniciativa të tijat personale, por pse jo edhe të filluara nga vete kryeministri dhe mbështetësit e tij”,- tha dje Deda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›