Shkodër, identifikohet vrasësi i emigrantit 19-vjear
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë mbrëmjen e djeshme autorin e vrasjes së emigrantit 19-vjeçar dy net më parë përpara shtëpisë së tij në Shkodër. Hetuesit kanë gjetur disa prova materiale që janë lënë aty nga vrasësi por jo armën me të cilën është kryer krimi. Policia mësohet se ka shoqëruar rreth 15 persona që i ka pyetur rreth ngjarjes dhe më pas ka identifikuar autorin. Ai është Astrit Bercaku, një person që e ka shtëpinë shumë pranë me viktimën. Nga hetimet e para është mësuar se shkaku i vrasjes është një grindje e ndodhur tre ditë më parë. Logu dhe Bercaku ishin duke dëgjuar muzikë sllave pranë shtëpisë së tyre dhe aty ka nisur një debat në lidhje me llojin dhe cilësinë e muzikës. Ky debat ka vazhduar gjatë dhe Bercaku nuk ia ka harruar emigrantit 19-vjeçar fjalët e thëna. Policia nuk ka mundur ende që të kryejë arrestimin e tij.
Bruno Logu ishte djalë i vetëm dhe para një jave ishte kthyer bashkë me dy prindërit për pushime në Shqipëri. Bashkë me familjen, ai prej disa vitesh ishte emigrant në Itali, për ku dhe do nisej në fillim të javës që vjen. Sipas dëshmive të grumbulluara, 19 -vjeçari ka dalë nga banesa e tij, apartament në katin e tretë tek pallatet në qendër të fshatit, rreth orës 22.30 dhe i ka thënë prindërve se do shkonte për të luajtur bilardo, jo larg banesës. Mësohet se ai ka hyrë në bilardo dhe ka qëndruar pak por pa luajtur dhe më pas ka dalë. Nuk ka të dhëna të jetë grindur e fjalosur me ndonjë person tjetër. Rreth orës 23.10 ai është gjetur i shtrirë dhe i mbuluar na gjaku, rreth 10 metra larg pallatit ku jetonte, në rrugën mes kishës e pallatit. Ndonëse është dërguar në spital ai ka humbur jetën sapo ka arritur atje, si pasojë e dy goditjeve me thikë të marra në gjoks. Vetëm rreth 20 m larg vendit të ngjarjes, tek ura e Oblikës, policia ka gjetur një biçikletë të braktisur dhe një bluzë meshkujsh, ngjyrë e zezë me një stampë të bardhë në mes, e cila kishte mjaft njolla gjaku në të. Mendohet se bluza dhe biçikleta i përkasin autorit të vrasjes, i cili i ka lënë ato jo larg vendit të ngjarjes dhe më pas është larguar në drejtim të përroit, sipër nga kodrat e fshatit. Në këtë zonë janë përqendruar dhe kërkimet e policisë por pa mundur të gjejnë gjurmë të tjera. Po kështu nuk është gjetur as arma e krimit, thika me të cilën është goditur 19- vjeçari.