E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakët në Delvinë rrezikojnë manastirin e vjetër

SARANDË- Sa pa u fikur zjarri në rajonin e Kalasës, një tjetër vatër është shfaqur shumë afër qytetit të Delvinës, vetëm një kilometër larg qytetit. Alarmi së pari është dhënë nga operatorët e pusit të naftës së Delvinës, i cili është në aktivitet prodhim gazi dhe ky zjarr jo vetëm rrezikonte ullishten në të cilën u shfaq, por rreziku më i madh ishte djegia e materialeve që gjendeshin në depot e grumbullimit . Impianti i gaz-përcjelljes drejt kombinatit të Ballshit, të gazit natyror shpëtoi mrekullisht falë ndërhyrjes së punonjësve të sektorit të shfrytëzimit të Delvinës. Mynyr Xhaferi, operator i pusit nr 4, thotë se “Kemi lajmëruar menjëherë zjarrfikësit dhe me mjetet e kundër zjarrit kemi parandaluar përfshirjen nga zjarri të stacionit të gazit”. Megjithëse impianti shpëtoi, pjesa tjetër prej mbi 500 ha kullotë dhe të gjitha parcelat e ullinjve të ish-NB Delvinë janë djegur. Flakët kanë shkrumbuar edhe pyllin në faqet jugore të Malit të Gjerë. Përfshirja nga flakët e një sipërfaqes kaq të gjerë e ka bërë të pamundur fikjen dhe vënien nën kontroll të flakëve. Në qendër të kësaj vatre zjarri ka qenë edhe Monumenti i Kulturës, manastiri i Shën Mërisë në Kameno, monument që mbart një histori unikale për pikturën shqiptare, pasi aty gjenden afreske te pikturuar ne vitet 1525 nga piktori shqiptar anonim nga Jerma. Ky monument ndodhet vetëm dy kilometra nga Delvina por falë ndërhyrjes dhe organizimit të pritave dhe vatrave të djegura të kontrolluara nga banorët dhe zjarrfikësve,ka shpëtuar falë flakëve. Sipas përllogaritjeve të specialistëve të bujqësisë, dëmet janë të konsiderueshme. Megjithëse zjarri ende nuk është shuar, deri në orët e vona të ditës së djeshme janë djegur më shumë se 20 ha me vreshtë, 20 ha me drufrutorë dhe një sipërfaqe me mbi 1000 ullinj, pa llogaritur pyllin e pishave dhe drurë të tjerë në pyjet e kurorës mbi Delvinë. Nisur nga përmasat e shtrirjes dhe dëmeve ky zjarr ka qenë më i madhi si në sipërfaqen e djegur, por edhe më i madhi në dëmet e shkaktuara. Ende nuk ka persona të identifikuar për zjarrvënien. Burime nga policia e Delvinës bëjnë të ditur se ka nisur hetimi por ende nuk ka një autor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›