Zjarr në Dropull, tymi bllokon rrugën për Kakavijë
GJIROKASTËR- Një vatër e konsiderueshme zjarri u regjistrua dje në komunën e Dropullit të Poshtëm. Pasi janë përhapur me shpejtësi, flakët kanë rrezikuar seriozisht një lagje të fshatit Gorricë, një objekt kulti si dhe një fabrikë të prodhimit të pecetave. Tymi i dendur ka bllokuar për disa orë edhe qarkullimin në superstradën Gjirokastër –Kakavijë. Situata vihet në kontroll pas më shumë se katër orësh, ndërsa në mbrëmje u bë e mundur arrestimi i autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Pas një periudhë disi të qetë, një vatër zjarri është aktivizuar pas mesditës së djeshme. Zjarri ka rënë fillimisht rreth orës 14.00 në vendin e quajtur Kodrat e Terihatit, në afërsi të fshatit Terihat në komunën e Dropullit të Poshtëm. Më tej, i nxitur nga temperaturat e larta dhe era, zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe duke përshkuar brenda një kohe të shkurtër një sipërfaqe të konsiderueshme. Ndërkaq, megjithëse tri automjete dhe rreth 15 efektivë të Repartit të Mbrojtjes nga Zjarret, të ndihmuar nga efektivat blu të komisariatit të policisë së Gjirokastrës dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë menjëherë, ka qenë pothuajse e pamundur që flakët të lokalizoheshin. Flakët e mëdha kanë rrezikuar kishën e “Shën Mërisë” në anë të rrugës nacionale midis fshatit Terihat dhe Gorricë. Ka qenë ndërhyrja e repartit zjarrfikës që ka bërë të mundur shuarjen e flakëve në territorin e jashtëm të kishës. Një drejtim tjetër i zjarrit ishte në drejtim të fshatit Gorricë , ku u rrezikuan disa banesa të përfshiheshin nga flakët. Forcat e policisë , të zjarrfikëses, të drejtorisë pyjore dhe vetë banorët, për rreth një orë bënë të mundur lokalizimin e flakëve duke shpëtuar banesat nga zjarri. Po kështu, zjatrri ka kërcënuar seriozisht një fabrikë të prodhimit të kartopecetave po në fshatin Gorricë dhe për shkak të pamundësisë për ta lokalizuar menjëherë bëri që flakët të hynin në pjesën e pasme të kësaj fabrike, ku janë djegur materiale pa vlerë (mbeturina, tallash).
Për më shumë se katër orë e gjysmë, zjarrfikësit dhe uniformat blu kanë punuar për shuarjen e zjarreve, që kanë përshkuar një sipërfaqe prej 20 hektarësh me shkurre e barëra, pa shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Tymi i madh dhe flakët në të dyja anët e rrugës , bënë të pamundur lëvizjen e automjeteve. Policia rrugore e Komisariatit të Policisë Gjirokastër bllokuan lëvizjen e automjeteve përreth disa orë, për shkak të pamjes së kufizuar nga tymi dhe flakëve nga të dyja anët e rrugës. Vetëm rreth orës 20.00 të mbrëmjes ato janë lokalizuar në mënyrë të ndjeshme, por pa arritur të shuheshin në mënyrë të plotë. Ndërkaq, dyshimet e policisë për një zjarrvënie të qëllimshme kanë rezultuar të vërteta.Pas disa orësh , në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë e mundur kapja e shtetasit Petrit Sinondemaj, 23 vjeç, çoban me bagëtitë e fshatit Terihat si autor i dyshuar i zjarrvënies.