Kufoma e djegur në Lushnjë, mister identiteti dhe vrasësit
LUSHNJE- Kufoma e gjetur e masakruar dhe e djegur në Grabian të Lushnjes vazhdon të jetë e mbuluar nga një hije misteri. Ende policia e shtetit nuk ka bërë të mundur identifikimin e saj ndërsa deri më tani asnjë person nuk rezulton i humbur. Kjo shton edhe më shumë dyshimet se kemi të bëjmë me një person që sapo ka ardhur nga emigracioni, të cilin nuk e priste askush. Verifikimet e fundit kanë treguar se ai nuk është nga zona e Lushnjes, as emigrant e as banor.
Burimet e policisë shpjeguan dje se kanë nisur një fushatë të gjatë verifikimi në Lushnje dhe rrethinat e saj por përfundimi është se ngjarja nuk ka ndodhur në Lushnje, por është “importuar” nga jashtë. Inspektorët e policisë kanë shkuar në çdo shtëpi që ka emigrantë në qytet dhe fshat për të parë në vend dhe verifikuar të vërtetën që lidhet me kufomën e Grabianit. Hetuesit kanë marrë me vetë fotografinë e kufomës dhe pasi kanë trokitur derë më derë kanë kërkuar nga familjaret të tregojnë me gisht nëse e njohin apo kanë lidhje gjaku me të. “Disa prej personave që kemi pyetur janë lidhur menjëherë në telefon me të afërmit që kanë jashtë, në Greqi e Itali duke vërtetuar se ata janë gjallë dhe shëndoshë e mirë”,- thanë dje burimet e policisë. Sipas tyre, të gjithë kanë mohuar të njohin personin e gjetur të masakruar më shtatë gusht. Shumë nga familjarët nuk kanë pasur asnjë njohje lidhur me ngjarjen, ndaj dhe janë çuditur kur kanë dëgjuar për masakrën.
Për të qenë të sigurt inspektorët i kanë kërkuar të gjithë banorëve që të firmosin nga një deklaratë se nuk e njohin personin e masakruar. Burimet pohuan se marrja e firmave shtëpi me shtëpi ka vazhduar për disa ditë dhe në përfundim inspektorët kanë dorëzuar dokumentin e firmosur nga familjaret ku thuhet se nuk kane asnjë njohje dhe lidhje me kufomën e Grabianit. Në këtë moment agjentët e policisë janë vënë në lëvizje duke hetuar edhe emigrantët që vijnë nga jashtë, por që nuk kanë banim në Lushnje. Policisë i është dashur të përdorë hetime speciale për të gjetur ndonjë detaj në lidhje me vrasësit apo identitetin e viktimës por sërish pa rezultat. Bëhet fjalë për një djalë nga 20 deri në 25 vjeç, i cili është masakruar me sende të forta dhe më pas i është vënë zjarri e hedhur në një kanal. Mendohet se vrasja nuk është kryer në vendin ku është gjetur kufoma. Hetuesit mendojnë se zjarrvënia dhe hedhja e kufomës në kanal janë kryer pikërisht për të fshehur gjurmët e krimit.