Atentat Presidentit somalez, shpëton Sheik Mohamud

Vetëm dy ditë pas zgjedhjes së tij si Presidenti i Somalisë, Hasan Sheik Mohamud i ka shpëtuar mrekullisht një atentati të mirorganizuar.
Presidenti Hasan Sheik Mohamud dhe ministri i Jashtëm i Kenias kanë shpëtuar pa lëndime pas sulmit me bomba në një hotel të Mogadishusë, ku dy zyrtarët po mbanin konferencë për media.
Rebelët e Al-Shababit, grup ky i lidhur me Al-Kaidën, kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, në të cilin janë vrarë disa persona.
Zgjedhja e Mohamudit nga ligjvënësit somalezë është parë si një hap i rëndësishëm për stabilizimin e Somalisë, ku kontrolli efektiv i qeverisë qendrore mungon që nga viti 1991.