E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëheqësit botërorë dënojnë vrasjen e Amb. amerikan

Kreu i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku humbën jetën ambasadori i SHBA-së, Kristofer Stivens, dhe tre shtetas të tjerë amerikanë .

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka deklaruar se “një dhunë e tillë nuk mund të justifikohet kurrë”.

Nga ana tjetër shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka cilësuar sulmin si “të neveritshme”.

Ky është krim i papranueshëm dhe i urryer, ka thënë presidenti i Francës, Fransua Holland, duke iu bërë thirrje autoriteteve libiane që “të hedhin dritë mbi ngjarjen”.

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Libisë, Muhamed Magarife, është zotuar se Tripoli do të sjellë autorët para drejtësisë.

Sulmi në Bengazi thuhet se ka qenë reagim i zemëruar ndaj një filmi që “fyen” Profetin Muhamed.

Filmi raportohet të jetë bërë nga një izraelito-amerikan, me emrin Sam Bacile.

Disa orë para sulmit në Bengazi është sulmuar edhe kompleksi i Ambasadës së SHBA-së në Kajro, në shenjë proteste kundër filmit.

Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të premten.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›