E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat apo shëndet për Demokracinë?

Disa parti të “vogla”, iniciativën më të fundit të Partisë Socialiste për sistemin e ri zgjedhor e nominojnë si një atentat që i bëhet parlamentarizmit e demokracisë në Shqipëri. Kështu mendojnë Ato. Po le të debatojmë: është sistemi i ri që propozohet atentat kundër demokracisë apo i jep shëndet asaj? Ka demokraci pa instrumente politike në duart e shoqërisë civile? Ka në demokraci parti politike pa patur në përmbajtje rëndesën e pjesës apo të pjesëzës së shoqërisë? Ka në demokraci parti parazitare që mbijetojnë në sajë të trafikimit? Ka…

***

Pluralizmi, që në përmbajtje ka veprimtarinë e shumë partive, zgjidhi probleme e kontradikta, kapërceu pengesa edhe në shoqërinë tonë. Por ai nuk është i përsosur, pluralizmi progreson në udhën e demokracisë duke hequr nga vetja të tepërtën, atë që i bëhet pengesë shoqërisë për të pasuruar më tej gjendjen materiale e botën e saj shpirtërore. Burim i përsosjes së personalitetit të partive janë, veç të tjerash, garimi i tyre për të qenë instrumente në duart e zgjedhësve, për të zgjidhur problemet e kontradiktat që hasen. Në këtë këndvështrim, sistemi zgjedhor duhet t’i përgjigjet marrëdhënies së partive politike me elektoratin që përfaqësojnë. Po, i është përgjigjur sistemi i përzier mazhoritaro-proporcional kësaj marrëdhënieje? Mendoj se në këtë fazë, kjo marrëdhënie nuk funksionon më. Pse? Sot kemi një Parlament me 15 parti parlamentare që taksapaguesi shqiptar i trajton si të tilla. Barrë e rëndë për një buxhet të varfër të një qytetari të varfër si ky yni. Të varfër, se një pjesë e madhe e qytetarëve, dhe këta janë shumicë, sigurojnë me vështirësi nevojat e jetesës; të varfër, se për të mbijetuar kanë mbushur listat nëpër magazina.Të tilla janë disa qindra e mijëra që jetojnë në fshat e në qytet, ku fletoret e borxhit janë “mbarsur” me disa miliona dollarë. Të varfër, se pagat e 600 mijë pensionistëve janë shumë të ulta; se Agjencia Qëndrore Amerikane na jep shifrën e 30% të të papunëve; se paga e një deputeti në muaj, është e barabartë me pagën mesatare vjetore të një pensionisti; se…i përmenda këto pak fakte nga ai “mal” i tërë vështirësish, për të treguar se mbajtja në këmbë e 15 partive është luks i tepërt për një vend ku polarizimi shtresor është thelluar shumë; të një shoqërie civile që është ende larg së formuari të një shtrese të mesme në fshat e qytet.

Buxheti ndër vite që aprovohet për mbajtjen e këtyre partive, është njëra anë, ana tjetër, dhe tepër e rëndësishme, është fiktiviteti që lind në politikë. Dhe fiktiviteti sjell, veç të tjerash, pasojen e iligjitimitetit të Parlamentit e të pushteteve të tjera që burojnë e që janë në marrëdhënie me të. Po të vijojmë me “pasojat zinxhir” përfundojmë në “mbretërinë” e anarkisë apo të diktaturës. Është fakt se shumë parti, mes tyre edhe parti parlamentare janë pa identitet, pa përfaqësi, nuk kanë programe të qarta politike e nuk dinë se interesat e kujt mbrojnë. Ato s’dinë se ç´janë, ndaj bëhet më shumë lojë personalitetesh, sesa lojë partish. Është legjitime “lufta” e partive për t’u ngjitur në piramidën e hierarkisë shtetërore, janë të pranueshme edhe ambiciet e këtij apo atij lideri partie për t’u bërë kryeministër i vendit. Por këtë gjë e vendosin rezultatet e zgjedhjeve, programet e alternativat konkrete, të qarta e të studiuara mirë, sidomos ato që burojnë nga Kuvendet me Sovranin. Ndaj, është rezultati ai që vendos se kush do ta formojë e kryesojë qeverinë; është rezultati ai që vendos edhe raportet mes forcave fituese. Ky është legjitimiteti, ndërsa ilegjitimiteti është të veprosh i prirur nga interesat personale e klani, duke parazituar e xhongluar mbi interesa më të gjera, të majta apo të djathta qofshin ato. Ndaj “lufta” mes partive, brenda e jashtë koalicioneve, nuk duhet të jetë “luftë” krerësh, lidershipësh, por mes programeve e alternativave.

***

Vënia fre e fiktivitetit dhe e trafikimit të deputetëve, që lind nga sistemi zgjedhor që propozohet, u jep shëndet pushteteve e institucioneve të pavarura, zbon patriarkalizmin nga Parlamenti. Se ka ndodhur e ndodh që pushtetet ekzekutive janë prirë e priren të “kapin” hapësirat e pushteteve e të institucioneve të tjera të pavarura, se Parlamenti ynë sot përbëhet nga 132 burra dhe 8 gra. Këtu duhet ta përqendrojme vëmendjen, ky është atentati më i rrezikshëm që i kanoset demokracisë, sidomos kur ajo është duke u ngritur. Dhe kur pushtetet përqendrohen në një dorë, ndodh që shteti “vret” e “mbyt” qytetarët e vet. Dhe bashkë me këto prirje negative, marrin vrull edhe korrupsioni, krimi i organizuar, tregtimi i paligjshëm i armëve, drogës, “mishit të bardhë” dhe i fëmijëve. Përpara fitimit të paligjshëm, këta njerëz të pangopur shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme fëmijë e të moshuar, mjafton që të ulin kostot për të fituar sa më shumë. Prandaj duhet konceptuar qartë se kur një forcë politike që ka marrë pushtetin ekzekutiv, por që synon të vërë “nën këmbë” edhe pushtetin gjyqësor, legjislativ e median, institucionin e Presidentit…nuk është larg së qeni parti-shtet.

Disa pohojnë se me sistemin e mbyllur proporcional-rajonal, lind “diktatura” e dy partive.

Unë mendoj se jo. Pse? Se kur qytetari sheh veten si në pasqyrë, kur sheh konkretisht interesat e tij të pasqyruara në këtë apo atë program e bindet për realizimin konkret të tyre, atëherë atij i lind edhe e drejta e zgjedhjes së këtij apo atij subjekti, dhe këtu nuk ka rëndësi numri. Partitë pa rëndesë popullore, përkundrazi, e shpërfytyrojne rëndë demokracinë. Zgjedhjet nuk bëhen vetëm një herë dhe pastaj çdo gjë ecën si në asfalt. Kur themi që qytetari zgjedh, ai në të njëjtën kohë edhe “vigjëlon” e ndjek në proces se si e realizon programin kjo apo ajo forcë që i ka dhënë votën. Ai, si të thuash, është përherë në “oponencë” në realizimin e Kontratës që ka lidhur me partinë politike. Dhe kur sheh se ky apo ai deputet, qoftë ky edhe lider, nuk mban premtimet e veta, ka jo vetëm të drejtë t´i propozojë partisë për ta zëvendësuar, por edhe ta detyrojë atë…

***

Mendoj se vëmendja është e nevojshme të përqendrohet edhe në institucionet që janë pjesë e sistemit zgjedhor. Këtu kanë rëndësi Regjistri Themeltar e Kartat e Identitetit, se, siç ndodhi edhe në ngjarjen e fundit, ne nuk jemi në gjendje të dimë se sa janë e ku janë qytetarët tanë.KQZ-ja, p.sh., kur është e politizuar, siç është aktualisht, mendoj se e deformon procesin zgjedhor. Mendoj se nuk na duhet një KQZ e përhershme, me një aparat të mulla-parazit, por e përkohshme, teknike dhe e paanshme në numërimin e votave. Kjo, se ka rëndësi të votohet e të ketë pjesëmarrje sa më të gjerë, por ka rëndësi edhe të numërohet. Më duket me vend thënia: “Vërtetë ju votoni, por mos harroni se ne numërojmë”. Rëndësi merr edhe mënyra e votimit. E them këtë se deri në sallën e Parlamentit u shkel fshehtësia e votës, kur një deputet tregoi hapur votën e tij pro Presidentit. Dhe ajo që shqetëson, është se të gjithë e panë këtë skenë, këtë deformim të votës së lirë, këtë “atentat” që iu bë demokracisë, por për çudi heshtën, madje, disa edhe u zgërdhinë!!!

Sistemi i ri zgjedhor, mendoj se kapërcen shumë probleme e kontradikta që mbartte sistemi i mëparshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›