E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO-n e prekën politikanët

Brenda për brenda vendit, suksesi i Bukureshtit ndjehet vetëm virtualisht. Ftesa për në NATO përfaqëson më tepër një hap të arritur për shkak të raporteve të reja gjeopolitike në Ballkan, sesa një zhvillim që vjen për shkak të reformave të brendshme të realizuara në Shqipëri. Për ta kuptuar këtë mjafton të përmendim faktin se edhe dy reformat kryesore që ndërkombëtarët kishin vendosur si kushtëzim për marrjen e ftesës, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, nuk u realizuan.

Hapi drejt NATO-s do të vazhdojë të përjetohet virtualisht në Shqipëri, sa kohë që nuk do t’i shtrijë efektet në jetesën e qytetarëve të vendit. Në këtë kuptim, tani për tani, ky hap, ashtu si edhe ai i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), mbetet më i parëndësishëm se ndërtimi i një rruge kombëtare, më i parëndësishëm se furnizimi me ujë dhe energji elektrike, pa ndërprerje, i të paktën zonave urbane dhe shumë më i parëndësishëm se ndërtimi i një qeverisjeje serioze dhe të ndershme, bazuar në vullnetin e padevijuar të qytetarëve.

***

“Bukureshti” nuk shënon fundin e tranzicionit shqiptar. Pavarësisht nga deklaratat emocionale të politikanëve. Shqipëria do të jetë në tranzicion, sa kohë që nuk ka arritur të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sa kohë që siguria e brendshme mbetet lehtësisht e cenueshme, sa kohë që ekonomia funksionon në një përqindje shumë të madhe jashtë sistemit të kontrollit shtetëror, sa kohë që drejtësia është krejt e padrejtë, sa kohë që media është e shitur te politika, d.m.th., sa kohë që (pasojë e të gjitha këtyre) shoqëria është shumë e varfër.

***

Shqiptarët shpesh, për shkak të protagonizmit, i kanë vlerësuar vendimet tranzitive si përfundimtare. Ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve ka një diferencë të dukshme, kur flitet për proceset integruese, për efektet konkrete të politikës. Qytetarët do ta ndjejnë NATO-n, atëherë kur të kenë hyrë përfundimisht në të, do ta ndjejnë BE-në atëherë kur t’i kenë prekur frytet e anëtarësimit, me pak fjalë, t’i festojnë “ndeshjet” atëherë kur ato të kenë mbaruar. Ndërsa politikanët do të vazhdojnë, si gjithnjë, me retorikat e radhës, për “sukseset paradhënie të vendit nën udhëheqjen e tyre”.

Politikanët shqiptarë, nuk janë treguar të sinqertë, kur është fjala për obligimet që do të ketë Shqipëria për arsye të anëtarësimit në NATO. Ftesa po paraqitet si shkuarje në një dasëm të madhe europiano-atlantike. Pa thënë se kjo ftesë e ka një faturë mbrapa, që do t’i kushtojë shtetit të paktën 2% të buxhetit (që përkthehet në miliona euro), pa llogaritur faturën e dërgimit të kontigjenteve të tjera në rajonet e krizës, duke filluar me shtimin e trupave tona ushtarake në Afganistan.

Megjithatë “Bukureshti” është, më në fund, një sukses. Por nuk duhet gëzuar shumë për suksese të vonuara. Aq më pak duhet entuziazmuar për hapa që akoma nuk preken nga qytetaria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›