E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larg paudhësive

Na nevojitet jo vetëm një laps i mprehur mirë, por edhe një gomë për të fshirë, për të sjelle në vëmendje të djeshmen dhe të sotmen tonë. E djeshmja na kujton padrejtësinë ku traktatet e kohës na bënë copë e çikë hartën gjeografike, e sotmja e vendos historinë tonë të re. Kemi kaluar nëpër shtigje gjaku, depresioni kolektiv, nëpër rrugica me pusi` me shtërzime. Shumë dhimbje. Ecja jonë ka ndryshuar.

Kemi miq potencialisht determinues dhe falë Zotit, kemi një aleat pa të cilin (të jemi korrektë) nuk do ishim këtu ku ndodhemi sot: SHBA-të. Falë tyre kombi shqiptar ka arritur këtu ku jemi sot: Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO, shpallja i pafajshëm i ish-Kryeministrit të Kosovës janë evenimente historike.

Pa mëdyshje që ftesa në aleancën ushtarake përveçse sihariq, është edhe sfidë reformash dhe impakt motivues për konsolidimin e demokracisë. Miqtë dhe aleatët tanë e bënë të tyren, tani radhën e kemi ne. E thënë ndryshe, rrëfimi ynë duhet të ndryshoje destinacion: kemi folur me mburrje se çfarë bënë të tjerët për ne. Tashmë duhet të rrëfejmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë për veten tonë. Nëse pajtohemi më këtë konstatim, atëherë duhet të lëvizim, të kapim, më në fund, frekuencat e demokracisë perëndimore. Hyrja në NATO nuk është luks, por përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Çfarë duhet bërë? As më shumë dhe as më pak sesa të jemi të vetëdijshëm për pozitat që jemi. Për të ilustruar, po përdor një metaforë përmes gjuhës së futbollit. Shqiptarët, nga futbolli i lagjeve janë ngjitur në ligën profesioniste. Ndryshojnë parametrat e fushës, rregullat e lojës, standardet e gjykimit e kështu me radhë.

***

Shkurt, na ndihmuan, na tërhoqën përdore dhe na ftuan. Por procesi quhet i përfunduar nëse arrijmë të futemi vetë brenda. Kjo është pjesëmarrja reale. Politika dhe institucionet shqiptare duhet të kuptojnë se zënkat, kacafytjet, shuplakat, mendjemadhësia, triumfalizmi, provincializmi, arroganca etj., i përkasin të kaluarës. Sofra e NATO-s, nuk e gëlltit një meny të tillë dhe dashamirësia nuk mund të zgjasë përjetësisht. Shija evropiane dihet: tolerancë, mirëkuptim, ide, vizione, qartësi veprimesh, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fondamentalizmit islamik, reforma të thella në drejtësi, gjykata, ushtri, etj.

Si komb, duhet të demonstrojmë kulturë evropiane, të prodhojmë ide, të hapim debate konstruktive dhe të përpilojmë strategji shtetërore, për t’iu përgjigjur pikë e presje aspiratave të reja të shumicës së shqiptarëve, dhe patjetër detyrimeve të frymës perëndimore.

Nëse reformat deri më sot zhvilloheshin në Evropë dhe ne përmes trysnisë bënim sikur i adaptonim ato, tashmë ka trokitur ora e reformave të vërteta. Por progresi i Shqipërisë në kultivimin e vlerave perëndimore do të mbetet utopi, nëse klasa politike nuk do të instalojë mekanizmin e unitetit për qëllime strategjike. Pozita dhe opozita kanë detyrimin historik të merren vesh për disa pika kryesore të ecjes sonë përpara: nuk duhet të ketë ndasi provinencash, pikëpamjesh ideologjike, epshesh pushteti e kështu me radhë, së paku në çështjet e rëndësishme që i japin fund tranzicionit.

***

Jetojmë ditët kur edhe shteti më i ri në botë, Kosova duhet të përpilojë në mënyrë urgjente një strategji shtetformuese. I duhet të dëshmojë se ka kapacitete të gjenerojë instalimin dhe nxitjen e reformave, të hedhë piketat dhe të vendose tullat e kalasë në kuptimin institucional dhe shtetar, të promovojë politika në kuadër të forcimit të demokracisë.

Fundja, infrastruktura është e gatshme, asistenca perëndimore në kuptimin e përvojave është atje, mjafton vullneti dhe serioziteti politik dhe institucional, që gjerat të ecin në drejtimin e duhur. Në ndërkohë pse të mos hapet debati i madh, fatmirësisht, NATO është në Kosovë, pse Kosova të mos jetë në NATO! Jo vetëm kaq. Debati duhet të jetë multidimensional. Ta zëmë, çfarë duhet bërë në kushtet aktuale, cilat do të ishin prioritetet e shtetit të ri, cilët janë treguesit që ekonomia informale, lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë në reduktim e sipër. Cilët janë treguesit që po vendosen themelet e kulturës institucionale, sa ka gjasa të gjenerohen ide dhe të dilet nga qerfulli i vetëkënaqësisë që shqiptarët e Kosovës të kenë një shtet të konsoliduar nga të gjitha pikëpamjet e kështu me radhë.

***

Në Maqedoni, me të drejtë politikani karizmatik Menduh Thaçi u shpreh kohët e fundit se tani erdhi radha jonë. Shqipëria dhe Kosova, në një mënyrë apo në një tjetër e kanë arritur objektivin falë edhe disiplinimit, kujdesit dhe mbështetjes së shqiptarëve të shtetit fqinj. Tani dy shtetet shqiptare e kanë borxh moral dhe kombëtar që t’i ndihmojnë afro 1 milionë shqiptarët, jo në rolin e tutorit, por duke ua kthyer reston, pa tentuar të marrin rolin e të zotit të shtëpisë. Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe zhgënjimin e Maqedonisë, shqiptarët e këtij shteti ndodhen para një momenti që e vulos historinë e suksesshme të shqiptarëve. Ndoshta dikujt i duket patetike, por shikuar objektivisht, vulën përfundimtare të vendosjes së kombit shqiptar në pistën e vlerave perëndimore e kanë pikërisht shqiptarët e Maqedonisë. Nga kjo pikëpamje, në emër të orientimeve dhe përcaktimeve të kombit shqiptar si komb me vlera qytetëruese dhe perëndimore. Në emër të euro-integrimeve, shqiptarët e Maqedonisë duhet të gjenerojnë dhe nxisin procesin e kompromisit për emrin. Të kuptohemi, ky vullnet nuk ka lidhje fare me tendencat e vazhdueshme greke që kërkon të përvetësojë gjithë historinë antike. Jo! Politika shqiptare në Maqedoni, në radhë të parë duhet të mendoje për popullin e vet, së dyti, për ardhmërinë tonë si komb. Çelësi është atje, kush nuk e kupton, gabon rëndë. Si përfundim, Shqipëria e mori ftesën në NATO, shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre, ndërkaq, ata të Maqedonisë e duan bashkimin përmes procedurës Euroatlantike. Më mirë nuk ka ku të shkojë. Do Zoti, qëndrojmë larg paudhësive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›