Basketbollistja Matilda Mecini do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Universe”. Mbrëmjen e së premtes, “Jeta Media Company”, e cila mban licensën zyrtare për të dërguar bukuroshen përfaqësuese në konkursin ndërkombëtar të bukurisë, organizoi sfilatën përzgjedhëse. Prej saj doli fituese Matilda Mecini, 19 vjeç, basketbolliste dhe modele e JMC-së, që ka pozuar më parë dhe për firma të njohura veshjesh. Në 14 korrik ajo do ngjitet në skenën e “Miss Universe” që këtë vit do organizohet në Vietnam. Në rolin e kryetari të jurisë ishte Fadil Berisha, fotografi zyrtar i “Miss Universe”. Si një bashkëpunëtor prejtetë vjetësh në përzgjedhjen e vajzave pjesëmarrëse nga e gjithë bota, në këtë konkurs, Berisha ia di mirë “hilet” zanatit. “Janë vetëm tre minuta në të cilat juria vendos për vajzat. Ata vlerësojnë së pari një portret të bukur, një trup të mirë dhe prezantimin në skenë. Dy të parat, si Matilda Mecini që do përfaqësojë Shqipërinë dhe Zana Krasniqi që do mbajë fashën e Kosovës, i kanë këto cilësi. Por duhet gjithashtu që vajzat të kenë lirshmëri në skenë. Shqipëria është e para në renditjen alfabetike dhe ne duhet ta shfrytëzojmë impaktin që ka prezantimi i parë”, - tha Berisha.
Ndërsa për sa i përket pjesëmarrjes së dytë në konkurs ndërkombëtar të Zana Krasniqit pas “Super Model of the Ëorld”, Fadil Berisha sqaron se kjo është jo vetëm e lejueshme por dhe një praktikë në Amerikë. “Atje vajzat nisin të konkurrojnë që fëmijë dhe përvoja është shumë e rëndësishme në këto konkurse. Në “Miss Universe” nga mosha 18 deri në 26 konkurrentet mund të kthehen disa herë duke synuar të fitojnë çmimin e parë. Prandaj dhe unë doja t’i bëja thirrje vajzave shqiptare që të investojnë e të mos dorëzohen me një përpjekje për të arritur sukses në fushën e modës dhe bukurisë. Nuk është një lojë, është karrierë. Dhe unë përpiqem për të bërë maksimumin dhe për sa i përket “Miss Universe-it”, sepse një sukses në të do ishte sukses për vajzën, por dhe për gjithë Shqipërinë”,- u shpreh fotografi. Ky është i treti vit që Shqipëria paraqitet në këtë konkurs bukurie nga bukuroshe të përzgjedhura nga fotografi Berisha dhe jo më nga fituesja e konkursit “Miss Albania” e regjisores Vera Grabocka.