E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Arapi, kandidat për kurorën e poezisë

Poeti Fatos Arapi është kandidati kryesor për të fituar “Kurorën e artë” të poezisë në Strugë. Këshilli drejtues i mbrëmjeve poetike Strugare u mblodh dje për të zgjedhur fituesin e çmimit të madh ndërkombëtar të poezisë, i cili zhvillohet çdo fund gushti me pjesëmarrje të poetëve më të mirë nga e gjithë bota. Ky është edicioni i 47-të dhe vendi ynë ndonëse ka qënë pjesëmarrës dekada të tëra në këtë konkurs me pena dinjitoze, ka arritur deri tek çmimi i dytë me Dritëro Agollin dhe Xhevahir Spahiun. “Kurorën e artë” asnjë poet shqiptar nuk e ka marrë më përpara, ndonëse disa herë jo vetëm kanë qënë afër por madje iu është bërë padrejtësi”,- thotë shkrimtari i njohur Luan Starova. Por duket se në këtë edicion fituesi i “Kurorës së artë” do të jetë një shqiptar madje mbrëmë këshilli në mënyrë unanime ka përzgjedhur si kandidaturë të mundshme poetin e mirënjohur shqiptar Fatos Arapin dhe si kandidaturë të dytë poetin bullgar Ljubomir Levçev. “Ka marrë fund praktika përjashtuese për poetët e talentuar shqiptarë, të cilët duhej ta kishin marrë shumë vite më parë këtë çmim prestigjoz, pasi e kanë merituar, - thotë Starova. Sipas burimeve të sigurta brenda këshillit, poeti Fatos Arapi është cilësuar si një nga poetët më të shquar të letërsisë shqipe. Fatos Arapi është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Poezia e tij ka thellësi mendimi dhe hapësira universale, përfytyrime të vendosura brenda kontekseve të reja ekzicentiale, ku shquhet një konfiguracion i pasur letrar. Gjithashtu juria dhe këshilli drejtues përveç çmimit prestigjoz të “Kurorës së Artë” pritet që të shpallë dhe dy fitues të tjerë të çmimit “Vëllezërit Milladinovci” dhe çmimin “Ura e Strugës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›