Atentat në Tiranë, shpëton pronari i pikës së basteve
Policia: Bardhok Biba, person me precedentë penalë, hetohet hakmarrja.
Plagoset me tre plumba i dënuari me 14 vjet burg.
Pronari i një pike bastesh sportive është plagosur rëndë në një atentat të organizuar nga persona ende të panjohur në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në rrugën “Artan Lenja”, pranë Fushës së Aviacionit. Burime nga Policia thanë dje se i plagosur Bardhok Biba, 36 vjeç, është qëlluar me tre plumba të një pistolete të kalibrit të vogël dhe gjendja e tij shëndetësore, sipas mjekëve, është shumë e rëndë. Ai ndodhet i shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe ende nuk është marrë në pyetje nga grupi hetimor, për shkak të shëndetit të tij delikat. Sipas Policisë, Biba është qëlluar me armë kur ndodhej vetëm disa metra larg lokalit në pronësi të tij. Në kohën kur ndodhi atentati ai kishte mbyllur biznesin dhe ishte drejtuar për të marrë makinën me të cilën do të largohej për në shtëpi. Pak sekonda pasi ka mbyllur lokalin, sipas Policisë, ndaj biznesmenit është tentuar ekzekutimi me armë. Sipas grupit hetimor, autorët e krimit i kanë zënë pritë në një vend të errët dhe e kanë qëlluar sapo ai ka dalë nga lokali. Policia e ka klasifikuar ngjarjen si “vrasje” të mbetur në tentativë, ndërsa për të sqaruar më hollësisht rrethanat dhe motivet e krimit, priten deklarimet e 36-vjeçarit të plagosur. Në vendin e ngjarjes policia ka fiksuar tri gëzhoja të një arme pistoletë të kalibrit të vogël, por asnjë gjurmë apo provë që mund t’i çonte drejt autorëve.
HETIMI
Dyshimet e para të oficerëve të seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit në lidhje me atentatin ndaj Bardhok Bibës lidhen me veprimtarinë e tij në të shkuarën jashtë kufijve të Shqipërisë. Burime nga grupi hetimor thanë se autorët e ngjarjes mund të kenë tentuar ekzekutimin e 36-vjeçarit për shkak të ndonjë konflikti të hershëm që mund të ketë pasur në Greqi, ku ka jetuar si emigrant disa vite. Madje nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë, emri i Bardhok Bibës, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, ka rezultuar i skeduar disa herë nga policia shqiptare, por edhe ajo greke. Sipas burimeve nga policia, 36-vjeçari Biba ka kryer një dënim prej 14 vitesh në Greqi, pasi ishte dënuar për grabitje me armë. Pas kryerjes së dënimit ai ishte rikthyer në Shqipëri dhe kishte hapur një biznes të vetin, një lokal bastesh sportive, ku ndodhej edhe para se të plagosej. Burime nga grupi hetimor thanë se kanë disa emra personash të dyshuar për ngjarjen, të cilët rezultojnë të kenë pasur konflikte me të plagosurin si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Grupi hetimor i policisë tha se po pret dëshminë e të dëmtuarit për të sqaruar motivet e krimit. Ditën e djeshme hetuesit nuk kanë arritur të marrin në pyetje të plagosurin për shkak të mjekimeve intensive që ai ka marrë në Spitalin Ushtarak. Policia tha se me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tij, tregtari do të pyetet në lidhje me konflikte apo hasmëri të ndryshme që mund të kenë qenë shkak i ngjarjes.
Tregtari me tre plumba në trup
Shtetasi Bardhok Biba, i cili u qëllua me armë zjarri te Fusha e Aviacionit në Tiranë, ka shpëtuar për mrekulli, ndonëse ka marrë tri plagë në trup. Sipas burimeve nga hetimi i ngjarjes, tregtari ka marrë tre plumba në zonën e belit, por që pas mjekimeve asnjëra prej plagëve nuk ka rezultuar me rrezik jetësor. Sipas këqyrjeve dhe matjeve të kryera në vendin e ngjarjes, të shtënat me armë ndaj pronarit të pikës së basteve janë realizuar në distancë të afërt.
ETLEVA DELIA