Durrës, sekuestrohen 8 kg heroinë në qendër të qytetit
Rreth 8 kg heroinë, e cila kishte destinacion Italinë, u sekuestrua mbrëmë në qendër të qytetit të Durrësit. Policia arrestoi trafikantin e lëndës, shtetasin Ardian Balliu, ndërsa po heton për identifikimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë që arritën t’i shpëtojnë prangave. Mësohet se droga u bllokua gjatë një aksioni që sektori i Antidrogës kishte organizuar. Agjentët ishin bazuar në informacionet që kishin siguruar në rrugë operative, se një mjet që po i drejtohej portit ishte i ngarkuar më lëndë narkotike e llojit heroinë. Blutë kishin marrë informacion se rreth orës 20:00, mjeti që kishte brenda ngarkesën me drogë do të nisej në drejtim të Portit ku do të tentonte të kalonte për në shtetin fqinj, Italinë. I riu nga Durrësi do të udhëtonte me një prej trageteve të linjës Durrës-Bari. Aksioni i Policisë për bllokimin e drogës u zhvillua në qendër të qytetit përball institucionit të Bashkisë, në Rrugën Tregtare. Polica ishte ndarë në dy grupe, duke ngritur kësisoj edhe dy postblloqe, një në fillim të bulevardit dhe tjetrin në fund të tij. Mjeti i dyshuar ka ardhur në Pallati i Kulturës në drejtim të Portit. Efektiva të Policisë që qëndronin pranë Pallatit të Kulturës në sheshin “Liria” e kanë lejuar makinën të futej ndërmjet post-blloqeve të ngritura, për ta pasur më të lehtë për të kapur në befasi personat që ndodheshin brenda tij. Por, sapo njëri prej efektivave të Policisë i ka dalë përpara mjetit dhe i ka bërë shenjë drejtuesit të hapte krahun, ky i fundit nuk u është bindur oficerëve dhe ka tentuar të largohej. Blutë kanë ndërhyrë duke ndaluar njërin prej poseduesve të drogës, ndërsa dy të tjerë arritën të dalin nga mjeti dhe të largohen me shpejtësi. Për shkak të hetimeve, Policia është rezervuar dhe nuk bëri të ditur nëse i arrestuari ka qenë pasagjer apo drejtues i mjetit në të cilën u sekuestruan tetë kilogramë heroinë. Dy personat e tjerë arritën të largohen, duke u ndihmuar nga errësira dhe rrugët e ngushta të lagjes, në të cilat nuk mund të kalojnë mjetet e Policisë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ