E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plotësohet amaneti i Ndoc Gjetjes, antologjia e 3 poetëve

Kopertina e librit

U promovua në Lezhë, në 78-vjetorin e poetit.

Vëllimi poetik Dhimbja nuk ka mëshirë përmbledh krijimet e tre poetëve lezhianë.

Në shkallët e rrugicave pranë shtëpive të tyre, qëndronin ulur poetët e pëshpëritnin nëpër dhëmbë poezitë e ndaluara që lexonin natën a mbanin fshehur pas librave shkollorë. Aty në ato shkallë, brenda atyre heshtjeve që kuptoheshin fare mirë mes tyre, lindin e thureshin ëndrrat e një kohe më të mirë, e vargut të lirë. Ishte së pari poeti Ndoc Gjetja e Rudolf Marku që thurnin vargje në copa letrash. Mandej, iu bashkua dyshes edhe poeti, e sot politikani, Preç Zogaj, duke u kthyer kështu në një trio që qyteti e mbarë zona e quajti shkolla poetike e Lezhës. Megjithëse mbeti një shkollë e painstitucionalizuar, me antikonformizmin, novatorizmin dhe origjinalitetin e zërave të tyre, ata u kthyen vetiu në promovues të letrave shqipe. Sado që njëri nga tre miqtë, Ndoc Gjetja, është larguar nga jeta thuajse dy vite më parë, Rudolf Marku dhe Preç Zogaj nuk i kanë braktisur misionet me të cilat nisi puna e tyre, duke e vijuar punën edhe në mungesë të mikut e kolegut Gjetja. Ka qenë kjo arsyeja që ka mbledhur në bibliotekën e qytetit të Lezhës, ditën e djeshme, jo vetëm ata, por një pjesë të mirë të poetëve të rinj e të vjetër të zonës e shumë kolegë të tjerë të ardhur enkas nga Tirana, si Remzi Lani, Moikom Zeqo, Agron Tufa, Gentian Çoçoli etj. Të gjithë këta emra të letrave shqipe ishin mbledhur në përvjetorin e ditëlindjes së 78-të të Ndoc Gjetjes, duke i realizuar edhe njërin nga amanetet e tij. Botimin e antologjisë poetike me krijimtari të tijën dhe dy miqve të tij. Përveçse një amanet i përmbushur, ky aktivitet u kthye për qytetin në një ngjarje mirëfilli kulturore. Gjetja ishte marrë në ditët e fundit të jetës së tij me skicë-idenë e këtij projekti, që fati desh të mos mund ta çonte dot deri në fund, punë për të cilën do të kujdeseshin miqtë e tij. Dhimbja nuk ka mëshirë është quajtur antologjia me poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tre poetëve. Ai i pat përzgjedhur vet çdo varg e poezi, duke shprehur tërthorazi edhe kënaqësinë për arritjet pasurinë që gjithsecili prej tyre i kishte lënë librave shqip. Dhe secili, në mënyrë krejt të tijën, pa u ndikuar nga tjetri, me gjithë që shkallët, bisedat e autorët e ndaluar që ju merrnin gjumin, ishin po ata. Kjo tregon që te asnjëri prej nesh poezia nuk ka ardhur e sforcuar apo e ndikuar nga tjetri, ka qenë nevojë e brendshme e gjithsecilit për të dalë në sipërfaqe, pohon poeti Rudolf Marku, i ardhur enkas nga Londra, ku banon prej kohësh, për këtë aktivitet.

Preç Zogaj: Ndoci krijoi me poezinë e tij harkun e virtytit
Poezia pa dashamirësit e saj do të ishte jetime, e janë pikërisht lexuesit e poezisë që kanë mbajtur gjallë kredon krijuese të poetëve që nuk paraqiten sot këtu, që nuk janë në këtë antologji, por që janë pjesë e kësaj shkolle. Visar Zhiti, i cili ka thënë se Lezha është një lloj Meke e poezisë, mund të jetë dhe metaforike, por nuk dua aspak dhe nuk kemi pretenduar që të jemi Meka e poezisë, sepse kemi respekt për poezinë që krijohet në gjithë Shqipërinë, por që ka një gjë të vërtetë në këtë përcaktim e që lidhet me figurën e Ndoc Gjetjes, që ai ka vërtet diçka prej profeti. Nëse ka një gjë që e bën realiste këtë thënie të Visar Zhitit është natyra profetike e Ndocit, thotë poeti Preç Zogaj, i cili preferon më shumë të flasë për poetin e munguar. Ai nga shumë poetë të tjerë që realizohen duke shkruar ishte një poet i tillë, jetonte si poet, ishte poet kur shkruante, kur fliste, kur shikonte, kur heshtte, kur zgjohej. Ai ishte poet si qenie dhe gjithnjë kam pyetur dhe vazhdoj të pyes: Cili është sekreti i këtij njeriu? Ne jemi takuar edhe në datëlindje të tjera të Ndocit. Ai na ka mbledhur duke qenë gjallë, duke qenë me ne. Sot na ka mbledhur duke mos qenë më, por vazhdon të na mbledhë e të na mbajë bashkë komunitetin e poetëve, që është një komunitet disi i veçantë që nuk takohet shpesh, tha Zogaj, duke shtuar se të gjithë ata poetë të mbledhur në atë takim, ishin mbledhur pikërisht rreth Ndoc Gjetjes, duke treguar respektin dhe adhurimin për të. Sekreti i Ndocit qëndron se ai krijoi me poezinë e tij, por dhe me mënyrën sesi jetoi, një hark të virtytit, siç gjithë poezia e tij është poezi e virtytit. Ka qenë një amanet i Ndocit që të botohej një antologji. Unë personalisht jam shumë i lumtur që sot e kemi në dorë këtë antologji, këtë projekt të parealizuar të Ndocit që arritëm ta sjellim sot.

Rudolf Marku: Kur lexonim Bodlerin në shkallët e shtëpisë
Duke jetuar në Londër, shpesh u them njerëzve se lagjja më e  madhe e Lezhës është Londra, kështu që njeriu edhe pse jeton larg vendit të vet është prapë aty. Unë edhe ëndrrat i shoh me Lezhën.
Desha me këtë rast të shpreh mirënjohje për shkrimtarët dhe personalitetet e letërsisë shqipe që janë miqtë e Ndocit, të mitë të Preç Zogajt, duke filluar me Zija Çelën, Bardhyl London, Pirro Mishën, Mark Markun, Moikom Zeqon, Gentian Çoçolin, Agron Tufën. Jo shumë larg këtij ambienti ka qenë shtëpia e prindërve të mi. Në shkallët e jashtme të shtëpisë mblidheshim dhe lexonim poezitë e Bodlerit të Luarit me Preç Zogaj, që ishte asokohe djalosh i ri 18-vjeçar, me Remzi Lanin dhe me të rinj të tjerë. Për ne ishte diçka shumë e natyrshme që të uleshim në shkallë e të flisnim për letërsinë e madhe e për kulturën botërore.
Poezia e Ndocit është një poezi që bazohet te sinqeriteti i jashtëzakonshëm dhe kjo e bën krejt të veçantë poezinë e tij. Mund të thuhet se sinqeriteti është element estetik apo moral që ka lidhje me poezinë. Mua me duket se disa njerëz kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për krijimtarinë letrare. Sinqeriteti është sintaksë, është ngjyrë.

ANI JAUPAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›