Roja i plagosur: Ju rrëfej tmerrin e maskave në bankë

Roja i plagosur, Viron Toska, në spitalin e Vlorës
VLORE/ Dëshmia nga spitali: Na kërcënuan se do të na vrisnin, gjithçka ndodhi për pak sekonda.
Roja i plagosur: Më qëlluan me armë, tentova t’i hiqja maskën.
Roja i “Raiffeisen Bank”, i cili u plagos në tentativë për të ndaluar grabitjen e degës ku ai ishte i punësuar, rrëfen ngjarjen që vuri në panik punonjësit e dhjetëra klientë të bankës. Gjendja e Viron Toskës, 50 vjeç nga Vlora, është përmirësuar pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ai ndodhet në spital, nga ku rrëfeu edhe momentin e plagosjes me armë zjarri nga personat që u futën në mënyrë të menjëhershme në bankë.
Z. Toska, ku ndodheshit ju kur u futën tre grabitësit në bankë?
Në momentin që hynë tre personat, unë isha brenda ambienteve të bankës, si vazhdimisht.
Ju patë gjithçka, si hynë ata në bankë, si vepruan?
Pashë që u futën në derën e bankës me çadër si klientë. Binte shumë shi në atë kohë, dhe ata mbanin çadrat para që të mos i shihnin të tjerët se ishin të maskuar. Në një moment ata i hoqën çadrat dhe kur i pashë se ishin të maskuar e kuptova se kisha të bëja me grabitës.
Pasi u gjendët para tre grabitësve, ju si vepruat?
Kapa njërin prej tyre, me qëllim që t’i hiqja maskën dhe të parandaloja grabitjen. Por, ai më qëlloi me pistoletë të cilën e nxori nga brezi porsa erdhi, më qëlloi me një plumb në këmbë. Rashë në shesh dhe nuk mund të lëvizja më. Ai që më qëlloi më kërcënoi se nëse do të bëja edhe një lëvizje tjetër do të më vriste. Më pas ai qëlloi edhe një herë në ajër me armë, duke u bërë thirrje punonjësve të bankës të mos lëviznin dhe t’u dorëzonin paratë.
Kishte shumë klientë në atë kohë në bankë?
Po, por askush nuk guxoi të lëvizte, pasi ata i urdhëruan të shtriheshin dhe të mos reagonin, në të kundërt, do t’i qëllonin ashtu sikurse më qëlluan mua. Klientët, të terrorizuar, nuk lëvizën farë, disa prej tyre filluan të qanin me zë të ulët.
Mund t’i përshkruash pak autorët?
Të tre kishin maska të zeza, mosha e tyre varionte nga 20 deri në 25 vjeç. Nuk mbaj mend me saktësi veshjet e tyre.
Arritën të marrin para?
Pashë që në ikje morën lekët që ndodheshin në banak në atë kohë, por nuk e di se sa ishte shuma e grabitur, sepse dhe unë u detyrova të mos i ndiqja pasi mund të më vrisnin.
Sa zgjati e gjithë kjo ngjarje?
Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Pasi morën lekët, ata u larguan nga banka me shpejtësi nga frika e ardhjes së policisë, sepse u dëgjuan krismat e armës.
Çfarë ndodhi më pas me ju? Kush ju dërgoi në spital?
Sapo u larguan grabitësit, më kanë dërguar në spital në gjendje të fikëti. Shumë pak gjëra mbaj mend më pas. Pasi një ndërhyrjeje kirurgjikale, rreth dy orë më vonë u përmirësova. Falë Zotit jam gjallë, sepse dhe mund të më kishin vrarë. Me sa kuptova, personi që më qëlloi ishte profesionist në përdorimin e armës.
Ju e keni dhënë deklaratën në polici?
Po, pasi jam përmirësuar kanë ardhur disa punonjës të Policisë të cilët kanë marrë dëshminë time në lidhje me ngjarjen.
Dyshimi: Autorët morën 1 mln lekë
Ndalohet me armë, i dyshuar për grabitjenFiliali i bankës së grabitur dje në Vlorë
Policia e Vlorës ndaloi dje një person të dyshuar si njëri prej autorëve të grabitjes së bankës në këtë qytet. Sipas Policisë, Krenar Shehaj, 26 vjeç, banues në lagjen “24 Maji” në Vlorë, dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në grabitje. Burime nga banka bënë të ditur se nga të dhënat e deritanishme rezulton të jenë grabitur rreth 1 milion lekë. “Në vijimësi të ngjarjes së ndodhur rreth orës 11:00 të së enjtes, ku nga tre persona të maskuar dhe të armatosur u tentua të vidhej ‘Raiffeisen Bank’, Shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë kanë kryer veprime të shpejta hetimore dhe profesionale dhe brenda një kohe të shkurtër kanë arritur të përcaktojnë të dhëna të dyshuara mbi mjetin e përdorur nga autorët pas kryerjes së krimit”, bënë të ditur burime të Policisë. Mësohet se pasi është konstatuar një makinë e dyshimtë me karakteristikat e mjetit të përdorur nga autorët, i është bërë shenjë të ndalojë, por drejtuesi i saj ka kundërshtuar dhunshëm punonjësit e Policisë. Nga ndjekja e kryer u arrit të kapej 26-vjeçari Krenar Shehaj, i cili po hetohet si autor i mundshëm i ngjarjes. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, policia i gjeti edhe një armë zjarri pistoletë të cilën e mbante pa leje. Arma u sekuestrua dhe po i nënshtrohet ekzaminimit nga ekspertë të balistikës për të konstatuar nëse është e njëjta me atë të përdorur në bankë. Gjithashtu nga kontrolli i banesës u gjetën një sërë provash të dyshimta, që po i nënshtrohen ekzaminimit nga ekspertë kriminalistë. Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion të informatorëve që do të çonin në arrestimin e autorëve 10 mijë dollarë. q.b
VLORE/ QEMAL BIRAKU
