Atentat para komisariatit të Laçit, tentohet të vritet i riu
Laç-Një i ri nga qyteti i Laçit është tentuar të vritet dje pak minuta pasi ka dalë nga banesa e tij, ndërsa ka qenë me makinë përballë Komisariatit të Policisë së Laçit. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, atentati ndaj të riut ka ndodhur rreth orës 11:00, ndërsa agresori ka qëlluar me breshëri automatike nga makina në drejtim të të riut, i cili gjithashtu lëvizte me makinë. Fatmirësisht asnjë plumb nuk ka rënë mbi “viktimën” e sulmit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se objekt i sulmit ka qenë i riu 24-vjeçar A. Suti, i cili banon në lagjen nr.3 të Laçit. Shtëpia e të cilit është vetëm pesë metra nga komisariati. Policia e Kurbinit bëri të ditur gjithashtu se i riu Suti është qëlluar dy herë me kallashnikov, por fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk e ka kapur të riun, i cili udhëtonte në makinën tip “Fiat Punto” së bashku me një të afërm të tij. Devijimi që i ka bërë makinës Suti e ka shpëtuar atë për mrekulli nga asgjësimi. Ndërsa autori duket se ka qenë i vendosur në likuidimin e Sutit, teksa ka qëlluar përballë Komisariatit të Policisë së Kurbinit në shëtitoren kryesore të qytetit dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Policia tha se kishte identifikuar autorin dhe se konflikti mes të rinjve kishte kohë që kishte nisur dhe atentati ndaj Sutit ishte bërë pikërisht për të larë hesapet.