E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Tufa”, burgim i përjetshëm vs. pafajësi

Avokati i Lavdërim Tufës i kërkoi gjykatën pafajësi për klientin e tij, duke u bazuar tek analiza e ADN-së dhe dëshmia e Ylli Kelmendit. Pritet vendimi

Tiranë Avokati i Lavdërim Tufës, i akuzuar për vrasjen e Famtir Ramës dhe dy personave të tjerë në masakrën e “Kartodromit”, ka mohuar akuzën e vrasjes ndaj klientit të tij. Gjatë seancës së djeshme mbrojtësi i Tufës ka analizuar gjithë rrethanat e ngjarjes, duke arritur në konkluzionin që klienti i tij është i pafajshëm. Mbrojtja e tij ka nisur me analizën e ekspertëve gjenetistë lidhur me përputhshmërinë e AND-së së të pandehurit me AND-në e një fije floku të gjetur në vendin e ngjarjes. Sipas avokatit, ekspertët kanë deklaruar se përputhshmëria e AND-së në këtë rast është në masën 90 për qind, pra përputhen 13 nga 17 lokuse, çka tregon se fija e flokut nuk i përket Lavdërim Tufës. Duke analizuar të dhënat e dosjes hetimore dhe dëshmitarët e pyetur në këtë proces gjyqësor, mbrojtës i Tufës ka mohuar kategorikisht përfshirjen e klientit të tij në vrasjen e trefishtë. Sipas tij, në vendin e ngjarjes është gjendur vetëm pështymë dhe jo gjak, sikundër pretendohet nga prokuroria. Akuza ka sjellë të dhëna se në maskën e përdorur nga autorët e vrasjes, e cila u sekuestrua pranë vendit të ngjarjes, është gjendur gjak i përzjerë me pështymë, e dhënë kjo e mohuar nga avokati mbrojtës i Tufës. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, mbrojtësi ligjor i është rikthyer vendit të ngjarjes dhe ekspertizës balistike. Sipas tij, Lavdërim Tufa nuk ka qenë asnjëherë në vendin e ngjarjes, fakt ky i konfirmuar nga dëshmitarë. Ndërsa duke analizuar dëshminë e Ylli Kelmendit, i vetmi i mbetur gjallë në atë që njihet si “Masakra e Kartodromit”, avokati ka deklaruar se ka mospërputhje mes saj dhe versionit të prokurorisë. Ylli Kelmendi ka deklaruar se ka parë të largoheshin dy persona të armatosur dhe me flokë të gjatë, të cilët qëlluan me armë. Sipas avokatit, Lavdërim Tufa asokohe vetëm 20 vjeç nuk ka qenë me flokë të gjatë, sikundër thuhet në dëshmi. Për të gjitha këto arsye, avokati kërkoi që klienti i tij të shpallet i pafajshëm. Gjykata vendosi të shtyjë edhe për një javë seancën e ardhshme, për të shpallur vendimin përfundimtar. Pak kohë më parë prokuroria kërkoi dënimin e Lavdërim Tufës me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj tre personave. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›