E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi e re në minierë, dy të rinj humbin jetën

Erjon Geci, 23 vjeç dhe Dritan Neza, 20 vjeç, kanë qenë duke gërmuar kur një pjesë e galerisë është shembur. Një i tretë, i plagosur në spital

Dy të rinj humbën jetën dje teksa punonin në një minierë në fshatin Pac të Tropojës, pas shembjes së një masivi shkëmbor, ndërsa një i tretë ka mbetur i plagosur. Erjon Geci, 23 vjeç dhe Dritan Neza, 20 vjeç, kanë qenë duke gërmuar për nxjerrje kromi, gjë e cila ka sjellë edhe shembjen e një masivi me dhe’ e gur, duke iu shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme. Nuk dihet ende nëse në minierë punohej legalisht dhe nën emrin e ndonjë kompanie apo kemi të bëjmë me gërmime private.

Burime nga policia thanë se menjëherë pas marrjes së informacionit për atë që kishte ndodhur, ata kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku edhe kanë filluar hetimet rreth saj. Policia njofton se dy viktimat dhe një shok i tyre kanë qenë duke punuar në një nga galeritë e minierës, por duket se një moment pakujdesie ka shkaktuar rënien e një masivi me dhe’ e gurë që ka zënë poshtë dy viktimat, ndërsa ka lënë të plagosur një tjetër person, shok me viktimat. Emri i këtij të fundit nuk është bërë i ditur prej policisë, por mësohet se ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kanë qenë minatorët e tjerë që kanë parë ngjarjen dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të nxjerrë trupat nga galeritë, ndërsa njoftuan edhe policinë. Kjo e fundit duket se ka filluar menjëherë hetimet rreth asaj që ka ndodhur dhe arsyeve të ngjarjes tragjike. Policia pritet të marrë në pyetje personat përgjegjës për minierën dhe po ashtu kolegët e dy të rinjve dhe personin e tretë të plagosur në këtë ngjarje. Ngjarja e rëndë që ndodh vetëm pak javë nga aksidenti në minierën e Bulqizës, ngre sërish pikëpyetje mbi sigurinë e galerive minerare në vend. Mjaft prej këtyre të fundit shfrytëzohen ilegalisht edhe pas mbylljes, ndërsa një pjesë e madhe nuk kanë kushte të sigurisë. Numri i atyre që kanë humbur jetë në miniera vitet e fundit është mjaft i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›