Vranë agjentin e antidrogës, prokuroria kërkon 48 vjet për autorët
Elbasan- Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 48 vjet burg për dy autorët që akuzohen për vrasjen e agjentit të antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, Roland Rexhepi. Ekzekutimi i të mbiquajturit “Doda” u realizua më 24 korrik në garazhin pranë banesës së tij në lagjen “Vullnetari”. Pas më shumë se dy vjet hetimesh, prokurori i çështjes, Ridvan Sukaj ka dhënë dje masën e kërkuar nga prokuroria për dy të akuzuarit e kësaj ngjarjeje. Pas administrimit të provave shkresore e materiale, prokurori i çështjes kërkoi para trupit gjykues 25 vjet heqje lirie për Armand Llakajn dhe 23 vjet heqje lirie për bashkëpunëtorin e tij, Marjus Tafa. 36-vjeçari Llakaj akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje me paramendim në bashkëpunim, në rolin e ekzekutorit”, si dhe “armëmbajtjes pa leje“, ndërsa 26-vjeçari Tafa akuzohet për “vrasje me dashje me paramendim në bashkëpunim, në rolin e ndihmësit“. Dy të pandehurit nuk kanë qenë prezent në sallën e gjyqit dhe janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës. Avokatët kanë kërkuar shtyrjen e seancës me kërkesën për njohjen me dokumentacionin dhe trupi gjykues e ka shtyrë për të mërkurën e ardhshme dhënien e vendimit.F.S.