Skema me pistoletën për të shpëtuar Shullazin, policët: Ia gjetëm në brez
Gilmando Dani merr përsipër pistoletën “Glock”, duke tentuar të shpëtojë për herë të tretë nga burgu mikun e tij Emiliano Shullazi. Dëshmitë e policëve që i arrestuan rrëzojnë versionin e tij. Misteri i një personi të tretë që u arratis nga makina
Tiranë Gilmando Dani, i arrestuar bashkë me personazhin e njohur të kronikës së zezë, Emiliano Shullazin, ka tentuar ta shfajësojë atë, duke marrë përsipër armën pistoletë. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, menjëherë pas arrestimit, Dani, i cili vetëm pak muaj më parë mbeti i plagosur në një atentat, ka pohuar se arma pistoletë “Glock” është e tij dhe jo e Shullazit. Kjo dëshmi e Danit është rrëzuar më pas nga punonjësit e policisë, që kryen kontrollin dhe arrestimin e dy të dyshuarve, të cilët thanë para prokurorëve se arma i është gjetur në brez Emiliano Shullazit, i cili në momentin e ndalimit ndodhej si pasagjer në vendin e parë të automjetin tip “Benz” me targa TR 2703 L. Ky pohim është ballafaquar me deklarimet e Danit, i cili ka ngulmuar në versionin e tij, se në momentin kur janë ndaluar nga policia ai ka tentuar të hedhë të tokë pistoletën, por policët kanë mundur ta gjejnë atë. Sipas oficerëve të policisë, që kanë kryer arrestimin e Danit dhe Shullazit, është konfirmuar se arma i është gjetur në trup Emiliano Shullazit, i cili nuk ka pranuar të japë shpjegime pa praninë e avokatit. Gjithashtu, të arrestuarit janë pyetur edhe për një maskë të sekuestruar në automjetin me të cilin ata udhëtonin. Bëhet fjalë për një kapuç me ngjyrë të zezë, i cili është gjendur në pjesën e pasme të automjetit. Lidhur me maskën, Dani ka pohuar se është një kapuç, të cilin ai e ka blerë në dyqan. “Është një kapuç i blerë në dyqan. Unë e përdor kur i jap motorit në dimër”- ka deklaruar Gilmando Dani, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë. Paralelisht me hetimin e kësaj ngjarjeje, grupi hetimor po heton edhe për një tjetër person, i cili ka mundur të arratiset në momentin që policia ka ndaluar automjetin. Sipas forcave të policisë që kanë kryer kontrollin, rezulton se në momentin kur është urdhëruar ndalimi i mjetit tip “Benz”, një person i tretë që ndodhej në ndenjësen e pasme të makinës ka mundur të largohet me vrap. Ky person mbetet ende i paidentifikuar nga policia, edhe pse dy të arrestuarit janë pyetur rreth këtij fakti. Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani u arrestuan rreth orës 17:30 të pasdites së të martës në rrugën “Stavri Themeli” në kryeqytet. Patrulla e policisë ka konstatuar automjetin me të cilin udhëtonin tre personat, të cilët janë identifikuar si persona problematikë. Menjëherë u është dhënë urdhër të ndalojnë dhe oficerët e policisë kanë kryer kontrollin e mjetit duke sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë e modelit “Glock“ dhe një karikator me 16 fishekë, 7 telefona celularë dhe tre çelësa automjeti tip “Benz”. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një maskë, për të cilën Dani ka deklaruar se është e tija dhe e përdor si kapuç gjatë kohës që i jep motorit në dimër. Sipas policisë, Emiljano Shullazi dyshohet për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa shoku i tij Gilmando Dani akuzohet për moskallëzim krimi. Në kërkim është shpallur edhe një person i tretë, që ka mundur të arratiset në momentin e ndalimit të automjetit nga policia.
Shullazi, tri herë në pranga këtë vit
Kjo është hera e tretë brenda vitit që policia arreston Emiljano Shullazin. Në prill të këtij viti Shullazi u denoncua nga dy deputetë të Partisë Socialiste, pasi kishte prishur një takim elektoral në njësinë nr.7 në kryeqytet. Në përballje me gjykatën, Shullazi arriti të justifikonte veten me faktin se ishte penguar në mikrofonin e takimit elektoral. Ndërsa më 8 Maj, policia arrestoi sërish Shullazin, pasi u kap me armë dhe antiplumb, të cilat i mbante pa leje, por që u lirua nga gjykata, pasi arma u mor përsipër nga dy djem të rinj që e shoqëronin. Asokohe policia tha se kishte informacione që Shullazi kishte ushtruar presion në ditën e votimeve, dyshime këto që nuk u vërtetuan para gjykatës.