E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat për vlerësimin e gjimnazistëve me kredite



Anilejda Shëmbitraku

Ka ndryshuar sistemi i vlerësimit të nxënësve të shkollave të mesme. Tashmë ai do të bëhet nëpërmjet krediteve. Do të ketë edhe zëvendësim të teksteve të vjetra me ato të reja, për nga titulli dhe nga përmbajtja. “Vlerësimi ka disa ndryshime, pra është vetëm vjetor. Ai nuk është thjesht një mesatare aritmetike. Do të përdoret një formulë ku do të merret në konsideratë vlerësimi me gojë, ai me shkrim, si dhe projektet kurrikulare, përkatësisht në raportin 40% me 50% me 10% (mësuesit dhe shkollat e dinë tashmë këtë mënyrë vlerësimi)”, - është shprehur në një intervistë dhënë për gazetën “Albania” prof. Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Ndonëse një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit prezantoi për herë të parë sistemin e vlerësimit me kredite, vitin e ardhshëm pritet që edhe kjo pikë të pësojë disa ndryshime. Për vitin e ardhshëm shkollor ky institucion ka urdhëruar që kreditet të përfitohen nga zhvillimi i të gjitha lëndëve, qofshin ato të detyruara, të avancuara apo me zgjedhje. Sipas Vejsiut, kanë ndryshuar edhe kriteret e pranimit të mësuesve të shkollave të mesme. Mësuesit e shkollave të mesme duhet të kenë mbaruar respektivisht “Master shkencor” dhe jo më “Master profesional”. Kjo, sipas tij, është pjesë e reformave të ndërmarra në fushën e arsimit, e cila do të garantojë më shumë rendimet në mësimdhënie.

Si do bëhet vlerësimi i nxënësve të shkollave të mesme?
Vlerësimi ka disa ndryshime, pra është vetëm vjetor (jo semestral). Ai nuk është thjesht një mesatare aritmetike. Do të përdoret një formulë, e cila merr në konsideratë vlerësimin me gojë, atë me shkrim si dhe projektet kurrikulare, përkatësisht në raportin 40% me 50% me 10% (mësuesit dhe shkollat e dinë tashmë këtë mënyrë vlerësimi). Nisur nga një përllogaritje e thjeshtë, nxënësit, për të kaluar nga klasa X në atë XI apo XII duhet të kenë grumbulluar në total plot 24 kredite gjithsej. Në të kundërt, kalimi nga njëri vit në tjetrin nuk do të jetë i mundur.

Si do përcaktohen kreditet e lëndëve?
Kreditet e lëndëve përcaktohen në dy mënyra. Kreditet e lëndës jepen me anë të formulës që përcakton numrin e orëve vjetore të një lënde dhe numrin e javëve të vitit shkollor përkatës. Përkatësisht, lënda e “Biologjisë” do t`u japë mundësinë nxënësve të përfitojnë 2 kredite, “Edukimi fizik” 2, “Gjeografia” 2, gjuha e huaj e parë 3, “Gjuha shqipe” e “Letërsia” 3, “Historia” 2, “Kimia” 2, “Matematika” 3, “Njohuri për shoqërinë” 2, “Teknologjia” 1, ndërsa “TIK” 2.

Po për riemërtimin e teksteve ç`mund të na thoni?

Nuk ka riemërtim të teksteve, por tekste të lëndëve të reja që më parë nuk janë zhvilluar, si: Trashëgimia kulturore, Karriera dhe aftësimi për jetën. Kështu, lënda “Gjeografi 10” është e njëvlershme me lëndën “Shkenca e tokës” në kurrikulën e re, ndërsa lënda “Njohuri për shoqërinë 10” është e njëvlershme me lëndën “Qytetaria” në kurrikulën e re. Parashikohet gjithashtu që nëse nxënësi i ka zhvilluar lëndët “Gjuha shqipe” e “Letërsia 10” dhe “Matematika 10” me nga 4 orë në javë, do t`i njihen vetëm nga 3 kredite për secilën. Në mënyrë që nxënësi të plotësojë lëndët e kurrikulës bërthamë të klasës X me 26 orë, duhet të japë provim jo më vonë se fundi i muajit tetor 2011, 36 orë të një lënde nga fusha e arteve, si edhe 36 orë të një lënde nga fusha e Aftësimit për jetën dhe karrierën.

Vlerësimi me kredite do ta përjashtojë vlerësimin “klasik”, atë me notë, apo është një pjesë shtesë vlerësimi?
Nxënësit do të vlerësohen me notë sipas formulës së mësipërme dhe notat do të ekuivalentohen me pikë sipas kësaj formule: Nr. i pikëve = (vlerësim) x (nr. e krediteve të lëndës) x (koeficientin e lëndës). Të gjitha lëndët e kanë koeficientin 1, me përjashtim të lëndëve që i përkasin nivelit të avancuar (p.sh. Matematikë, Fizikë, Kimi, Letërsi etj.).

Si do të operohet më ata nxënës që nuk janë dakord me numrin e krediteve?
Të gjithë nxënësit janë të detyruar të zbatojnë Rregulloren Nr. 4998 të vlerësimit në gjimnaz, e cila është miratuar më datë 27.07.2010. Ndërsa për ata të rinjtë që nuk janë të kënaqur me kreditet që përfitohen nga lëndët e kurrikulës bërthamë, pra duan të grumbullojnë më shumë se aq, do të kenë mundësi të zhvillojnë paralelisht edhe lëndët e avancuara, që do t`u japin mundësinë gjimnazistëve për të fituar më shumë në raport me bashkëmoshatarët e tyre. E megjithatë, kjo varet nga vetë të rinjtë dhe ambicia që do të kenë ata për të kërkuar gjithnjë e më shumë rezultate të mira.

Kriteret
Kushtet për punësimin e mësuesve

“Për emërimet në shkollat e mesme (gjimnaz dhe shkolla profesionale), mësuesi duhet të ketë përfunduar një studim universitar me kohë të plotë, që ka zgjatur 4-5 vjet, ose Master të Nivelit të Parë (MNP) për arsimin e mesëm dhe të lartë. Pra ky është një ndër kriteret e forta, të cilat duhet t`i përmbushin të gjithë ata kandidatë që janë të interesuar për të aplikuar për mësues në gjimnaz dhe shkollat profesionale. Kjo gjë po bëhet për shkak të reformimit të arsimit në vend, duke filluar kështu nga arsimi parauniversitar. Ndërsa për lëndët “Teknologji”, “Ekonomi” dhe “Teknologji informacioni” (TIK), mësuesi duhet të ketë diploma universitare pas 4 viteve studimi, ose një diplomë Master të Nivelit të Parë (MNP) në fushën e arsimit përkatës. Këta mësues, në vitin e parë punësohen me kontratë me afat njëvjeçar.

Mësuesit
Zëvendësimet do të jenë graduale

“Mësuesit pa arsimin përkatës do të hiqen gradualisht. Në shkollat e qyteteve të mëdha nuk përbën problem, pasi mësuesit janë me Master Shkencor (ata që kanë mbaruar studimet në nivelin 4–vjeçar). Për shkollat periferike, mësuesit pa arsim përkatës po hiqen gradualisht”.

Ndryshojnë tekstet
“Në vitin akademik 2011-2012 do të fillojë e para maturë sipas kurrikulës së reformuar. Kështu që do të ketë tekste të reja për çdo lëndë”.

40%
e krediteve merren nga “vlerësimi me gojë”

50%
e krediteve merren nga “vlerësimi me shkrim”

10%
e krediteve merren nga “projektet kurrikulare”

24
kredite do të plotësohen për kalimin nga klasa X në atë XI

12 Janar 2011

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›