Atentati, biznesmenët udhëtuan nga Tirana
Dy kufoma të gjetura në 15 tetorin e këtij viti në Itali, rezultojnë të jenë të një shqiptari nga Prespa dhe një maqedonasi, që të dy biznesmenë me investime të rëndësishme në Maqedoni, ndërsa pas verifikimit të kufomave policia italiane ka intensifikuar hetimet duke i dhënë prioritet vrasjes. Ekrem Salija, 45 vjeç, biznesmen shqiptar nga Maqedonia dhe Kristo Uzunov, biznesmen maqedonas janë identifikuar ditën e djeshme pasi u gjetën në Breshiano të Italisë në një pyll, të goditur të dy me plumb pas koke. Policia italiane ka mundur të zbardhë identitetin e tyre dhe ka zbuluar se më 23 korrik ata kanë hyrë në Itali duke udhëtuar nga aeroporti i Tiranës drejt aeroportit të Malpensës në Romë. Pasi kanë mbërritur, ata kanë prenotuar dy dhoma në një hotel dhe janë larguar për të mos u kthyer më. Policia ka mundur të gjejë në dhomën e hotelit të tyre dy valixhe, të cilat pronari i hotelit i kishte ruajtur dhe në valixhe u gjetën edhe kartat e identitetit të të dyve si dhe një sasi e madhe eurosh. Policia italiane ka ngritur pistën e hetimit të një kurthi ngritur ndaj dy biznesmenëve, duke mbajtur parasysh dhe pistën e larjeve të hesapeve.