Prokuroria: Burg pa afat për Shullazin e Danin
Organi i akuzës i kërkon gjykatës arrest për dy të arrestuarit me armë dhe maskë në makinë. Policia sqaron: Makina ishte shitur në ankand nga Kuvendi
Tiranë Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar dje gjykatës të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit, të arrestuar tri ditë më parë për armëmbajtje pa leje. Ditën e djeshme organi i akuzës ka depozituar në gjykatë kërkesën për masë ndaj të arrestuarve, ndërsa sot gjykata pritet të vendosë lidhur me arrestin e kërkuar nga prokuroria. Versioni i paraqitur nga Gilmando Dani, se arma e kapur në makinë është e tija, është rrëzuar nga oficerët e policisë që ndaluan të dyshuarit. Sipas tyre, pistoleta tip “Glock” i është gjendur në brez Emiljano Shullazit, i cili ishte si pasagjer në automjetin tip “Benz” me targa TR.2703 L. Duke u bazuar në raportin e katër punonjësve të policisë, të cilët kanë marrë pjesë në kontrollin e automjetit dhe më pas në ndalimin e të dyshuarve, prokuroria ka vendosur të kërkojë arrest me burg ndaj dy të arrestuarve. Sipas akuzës, Emiliano Shullazi dyshohet si autor i veprës penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ndërsa shoku i tij Gilmando Dani dyshohet për akuzën e moskallëzimit të krimit. Paraditen e sotme gjykata pritet të shqyrtojë dhe vendosë mbi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg ndaj dy të arrestuarve. Po dje, reagoi edhe policia e kryeqytetit e cila tha se automjeti me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas policisë, makina me targë TR.2703 L është shitur në ankand nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit më 19 shtator të këtij. Ky automjet është blerë nga shtetasi B.D., i cili gjatë deklarimeve të dhëna në polici thotë se automjetin me targë TR.2703 L e ka lënë për ta shitur në servisin e Mercedez Benz në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis shtetasi Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësisë. L.Bakillari