Gruaja shqiptare i “rrëmben” pasurinë italianit, fshihet në Korçë
Romanca me një 58-vjeçare nga Korça i ka kushtuar shtrenjtë një italiani, i cili, pasi i ka besuar asaj 30 mijë euro pasi ishin martuar, është braktisur nga gruaja që ka marrë edhe paratë
Korçë- Mashtroi bashkëshortin italian, i vodhi 30 mijë euro, ndjekje penale për 58-vjeçaren. Ngjan me një histori të denjë telenovelash, por nuk ka të bëjë aspak me imagjinatë. Një grua në moshë madhore është martuar disa vite më parë me një shtetas italian, nga i cili ka mundur të fitojë dhe mjaft të holla përveç dokumenteve italiane. Ndërkaq, një shumë e marrë në formë borxhi me të drejtë kthimi ka bërë që gruaja të lërë italianin dhe të kthehet në Korçë, për t’iu fshehur bashkëshortit të vet.
Historia e rrallë, bëjnë të ditura burime të policisë lokale, ka nisur në Milano gjatë vitit 2010, ndërsa është transferuar prej disa kohësh në qytetin e Korçës. Shtetësja me inicialet Dh.K. 58 vjeçe, banore e lagjes 4 në qytetin juglindor, akuzohet për veprën penale të “mashtrimit”. Padia ka mbërritur një ditë më parë në policinë e Korçës nga shtetasi italian S.M., 71 vjeç, me banim në Milano, Itali. I moshuari ka udhëtuar enkas drejt Shqipërisë pas kërkimeve për të gjetur gruan që e ka braktisur dhe të rimarrë shumën prej 30 mijë eurosh që ia kishte dhënë borxh kësaj të fundit për të ndihmuar të afërmit e saj.
Në fakt, gruaja shqiptare i ka premtuar se do ia kthente shumë shpejt, por pas disa kohësh, kur i shoqi ka filluar t’ia kërkojë borxhin me ngulm, ajo ka vendosur të kthehet në Shqipëri. Kështu ajo ka tentuar t’i fshihet përballjes me burrin, ndërsa ky i fundit ka këmbëngulur deri në fund, duke mos patur rezultat. Veprimi i fundit që ai ka bërë është një padi në policinë e Korçës ndaj gruas së tij. Policia ka nisur hetimet, ndërsa gruaja do të ndiqet penalisht për akuzën e “Mashtrimit”. Ndërkaq italianit të moshuar do t’i duhet të qëndrojë dhe për një tjetër periudhë në Shqipëri, duke pritur që të fitojë të drejtën me ndihmën e institucioneve shtetërore për të rimarrë 30 mijë eurot e tij që ia dha gruas, e cila pasi i mori e la vetëm burrin e saj, duke iu shmangur atij.