E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, gati lista e të dyshuarve

Policia e Pogradecit nuk ka asnjë dyshim se tritoli i vendosur në garazhin e pallatit 9-katësh kishte si shënjestër gjyqtarin e rrethit, Liradin Lila. 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

 Dëmtim prone, por dhe ndonjë atentat fizik ndaj tij, për një ngjarje ende të pazbardhur janë pistat e hetimit. Ndonëse bëhej fjalë për rreth 50 gramë lëndë eksplozive, ngjarja ka krijuar panik jo vetëm për banorët e godinës, por dhe qytetarë që shëtisnin buzë shëtitores kryesore të qytetit rreth orës 22:00. Menjëherë ekspertët e antikrimit pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës kanë zhvilluar hetime intensive për të identifikuar autorët e këtij akti kriminal. Pista kryesore për policinë ka qenë hakmarrja ndaj gjyqtarit për shkak të detyrës, çka ka bërë që të evidentohen të gjitha vendimet gjyqësore të marra nga gjyqtari muajt e fundit dhe mandej studimi i personalitetit të personave që kanë humbur gjyqet me këtë gjyqtar. Policia ka pohuar se ky ka qenë një veprim kriminal për të dëmtuar pronën e gjyqtarit, për t'u hakmarrë ndaj ndonjë vendimi gjyqësor të dhënë prej tij. Po policia nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e ndonjë atentati ndaj Lilës. Shpërthimi i dinamitit ndodhi në portën hyrëse të katit të nëndheshëm të pallatit 9-katësh, duke dëmtuar mjetin "Volkswagen" të Lilës. Ai jetonte në këtë ndërtesë prej rreth 6 muajsh, pas ndërtimit në zonën buzë liqenit të Ohrit. Grupi i hetimit, që u krijua fill pas ngjarjes, ka marrë në pyetje gjyqtarin Liradin Lila. Këtë fakt e ka bërë të ditur për gazetën edhe zv.drejtori i Policisë së Korçës, Ylli Doda. Sipas tij, gjyqtari ka deklaruar për hetuesit e çështjes se nuk ka asnjë dyshim tek ndonjë person i veçantë, mbasi nuk ka pasur ndonjë konflikt në jetën personale private apo edhe me personat që ka pasur në gjykim. "Unë, - është shprehur Lila, - kam kryer me drejtësi detyrën dhe askush nuk ka debatuar me mua rreth vendimeve gjyqësore që kam dhënë. Asnjëherë nuk më ka kërcënuar njeri. Edhe në jetën private nuk kam pasur konflikte me askënd. Në këto rrethana nuk kam asnjë dyshim për ndonjë person të caktuar që mund të ketë kryer këtë veprim".
Grupi i hetimit duke pasur pistë kryesore të zbardhjes së ngjarjes hakmarrjen për shkak te detyrës, dje ka evidentuar prej vendimeve gjyqësore gjithë personat, që kanë humbur proceset gjyqësore të pronave me gjyqtarin Lila. Mandej ata kanë studiuar rastet më të mundshme, që mund të kenë ngjallur ndjenjë hakmarrjeje. Por njëherësh janë evidentuar edhe proceset gjyqësore penale, ku gjyqtari ka qenë pjesë e trupit gjykues. Burime policore kanë pohuar se nuk përjashtohet mundësia që familjarë apo bashkëpunëtorë në krime të të dënuarve penalë, të kenë ndërmarrë një veprim të tillë.
Duke iu referuar punës së kryer gjatë ditës së parë të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes zëvendës drejtori Doda ka pohuar, se policia dje pasdite kishte një listë të personave të dyshuar dhe se mbi këtë bazë edhe po punonte. "Po punojmë intensivisht që të zbardhim identitetin e personave që kanë vënë dinamit tek dera e garazhit. Edhe pse garazhi nuk ishte pronë e gjyqtarit, por e firmës që ka ndërtuar pallatin, ne kemi bindjen se hakmarrja ka qenë e drejtuar ndaj gjyqtarit", theksoi Doda. Ekspertët kriminalë kanë arritur në konkluzionin se është përdorur dinamit dhe se sasia e tij ka qenë rreth 50 gram. Për shkak të strukturës prej betoni të garazhit të nëndheshëm, dëmet kanë qenë të pakta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›