"Hiqni moratoriumin antiskaf, e ardhmja e Vlorës është deti"
VLORE - Socialistët e Vlorës janë kundër shtyrjes së afatit të moratoriumit të mjeteve lundruese. Reagimi nga kreu i PS-së lokale, Eltar Deda, ka ardhur pak ditë pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, në analizën 7-mujore të kësaj ministrie, se do të kërkohet shtyrja e afatit të moratoriumit. Në një konferencë për shtyp, Deda bëri të ditur dje para mediave se ai dhe forca politike që përfaqëson janë totalisht kundër këtij vendimi. Në fjalën e tij kryesocialisti vlonjat ia atribuoi vendorëve rritjen e fluksit të turistëve këtë sezon në Vlorë dhe jo menaxhimit turistik të qeverisë. "Si për ironi të fatit, hapësira detare, potenciali kryesor për zhvillimin e turizmit, u privua nga mjetet lundruese, për shkak të një moratoriumi absurd, që prej më shumë se tre vjetësh, mban peng ëndrrat dhe shpresat e vlonjatëve dhe më gjerë, për standarde të reja e bashkëkohore në këtë fushë", tha ai. Ndërkohë që ai ka kritikuar qeverinë për mbajtjen ende në fuqi edhe pas tre vjetësh të ligjit antiskaf. "Moratoriumi famëkeq i mjeteve lundruese, që prej tre vjetësh i ka shtrirë tentakulat dhe po na merr frymën ne, vlonjatëve, që e shohim të ardhmen tonë të lidhur ngushtësisht me detin, vazhdon të mbahet në fuqi, nga ata që e iniciuan dhe e vunë në jetë, në emër, gjoja së të ardhmes së këtij vendi", theksoi Deda. q.b