Zyrtarët e Vorës, në Prokurori
TIRANE - Disa zyrtarë të Bashkisë së Vorës qëndruan dje për disa orë në Prokurorinë e Tiranës. Ata mësohet se janë marrë në pyetje lidhur me hetimin që po zhvillohet për abuzimet e kryera gjatë përllogaritjes së dëmeve që shkaktoi tragjedia e 15 marsit 2008. Burimet nga organi i akuzës janë shprehur se zyrtarët e Bashkisë së Vorës janë marrë në pyetje si persona, që kanë dijeni për ngjarjen. Ata zotërojnë dokumente dhe të dhëna të tjera të cilat pasi të administrohen në dosjen penale të Prokurorisë, mund të ndihmojnë në zbulimin e abuzimeve të bëra nga ekspertët që vlerësuan dëmet në zonën e Gërdecit. Prokuroria tha se, pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertizave që janë ende në proces, dosja e abuzimit me vlerësimin e dëmeve që shkaktoi tragjedia mund të ketë të reja në drejtim të masave penale ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar.