Atentati i kambistit, pyeten 26 veta

Viktima Gjon Marku
SHKODER – Mbetet ende mister atentati i kryer me telekomandë ndaj kambistit 60-vjeçar Mark Gjoni në qytetin e Shkodrës. Policia e Shkodrës bëri të ditur dje se ende nuk ka një pistë konkrete për vrasjen me minë me telekomandë të Gjonit, ngjarje e cila ndodhi në orën 06:40 të së enjtes, në lagjen “Vasil Shanto”, në vendin e quajtur “Tregu i Valutës”, ku viktima punonte si kambist. Mësohet se viktima ka arritur të komunikojë pak minuta me ekspertë të grupit hetimor derisa humbi jetën në spital. Gjoni ka mundur ti pohojë grupit hetimor se ka dalë nga shtëpia rreth orës 06.00. Ai është drejtuar tek një berber e më pas pasi ka pirë një kafe para se të shkonte tek tregu i Valutës. Mësohet se policia dje ka shoqëruar dhe marrë në pyetje berberin si dhe kamerierin që i ka shërbyer kafen e fundit viktimës. Nga të njëjtat burime është përjashtuar mundësia që gjatë këtij itinerari, lënda plasëse të jetë montuar në mjet. Berberi dhe kamerieri janë pyetur më së shumti për të shpjeguar gjendjen psikologjike të 60-vjetarit. Por, ata i kanë pohuar grupit të hetimit se nuk kishin konstatuar ndonjë sjellje të veçantë të tij apo persona të dyshimtë që mund të kenë mbajtur atë nën mbikëqyrje. Blutë kanë bërë shoqërimin e rreth 26 personave për të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni rreth vrasjes. Duke mos pasur ende asnjë pistë zyrtare rreth atentatit ndaj Mark Gjonit, mësohet se po punohet në disa pista, ku më e mundshmja mbetet ajo e ndonjë konflikti të tij në kohët e fundit. Dje familjarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit 60-vjetarit. r.d