U mbesin pronat pa ujitur, banorët e disa fshatrave dhunojnë hidrocentralin
DELVINE – Tri javë pas hyrjes në shfrytëzim të hidrocentralit lokal të Sasajt në Delvinë, është detyruar të ndalë prodhimin investimi më i ri në fushën e energjetikës. Në fshatin Tatzat, komuna Vergo e Delvinës, një turmë banorësh nga të gjitha fshatrat e komunës, si dhe punonjës të administratës së kësaj komune, janë grumbulluar dhe kanë vepruar dhunshëm duke dëmtuar HEC-in. Shkak për këtë, sipas banorëve, është pretendimi se nga ndërtimi i hidrocentralit të Sasajt ata kanë mbetur pa ujë për ujitje dhe punë të ndryshme në bujqësi. Për këtë, nga pronarët e hidrocentralit është njoftuar Policia e Delvinës. Burime nga Policia bënë të ditur se specialistë të hetimit të dy komisariateve, Delvinë e Sarandë, shkuan në vendngjarje dhe u konstatua se ishte dëmtuar një pjesë e murit mbajtës të kanalit me gjatësi 6 metra dhe tri porta komandimi të ujit, të cilat kapin vlerën e 150 mijë lekëve. Në funksion të hetimit, sqarojnë burimet policore, u pyetën në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvilloheshin hetime, shtetasit Dhimitër Onjea, 40 vjeç, banor i fshatit Bajkaj, i komunës Vergo, si dhe Tasim Zbobo, 62 vjeç, banor i fshatit Kalasë, me detyrë inspektor pyjesh e kullotash në këtë komunë. Administratori i kësaj vepre, Vasil Gjika, tha se “kjo vepër, që nis në burimet e Tatzatit, ka qenë pronë e bordit të kullimit. Në vitin 2006, me dokumentacion të rregullt, me vendim nga qeveria, i është dorëzuar koncesionarit. Më çudit fakti se kjo që bëhet sot nuk u bë në korrik apo gusht, kur ishte edhe koha, por ndodh tani. Unë kam dashur ta ngre investimin në një klimë miqësore. Që në nisje të investimit kam rezervuar sasi uji si për komunën e Lukovës, edhe për atë të Vergoit. Për mua ky është një sulm kundër një investimi të rëndësishëm”. Materialet procedurale në ngarkim të Dhimitër Onjeas dhe Tasim Zbobos i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “shkatërrim të pronës në bashkëpunim”. sh.d
Në prokurori edhe kreu i komunës
Mësohet se kjo ngjarje i ka çuar në dyert e prokurorisë si investitorët e kësaj vepre, ashtu dhe kryetarin e komunës së Vergoit, Fiqiri Kullaj, pasi pretendimet janë të ndërsjella. Banorët që janë marrë në pyetje kanë pohuar se ndërtimi i këtij hidrocentrali u kishte dëmtuar bujqësinë, pasi nuk kishin me se të ujisnin tokat e tyre.