E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati i biznesmenit, hetohet pista e pronës

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Disa orë pas vrasjes së ish-efektivit të policisë dhe biznesmenit Astrit Meshnuni, i cili u ekzekutua me një breshëri plumbash automatiku pranë banesës së tij në sy të gruas dhe fëmijëve, policia e Shkodrës ka shoqëruar në polici gjatë gjithë natës së të premtes 25 persona.
Personat e shoqëruar sipas policisë janë të njohur të afërt të viktimës, të cilët mund të kenë dijeni për ndonjë konflikt që viktima mund të ketë pasur. Por, autorët janë ende të lirë dhe të paidentifikuar nga policia.
Dëshmia
Por dje, u mor në pyetje edhe bashkëshortja e biznesmenit, e cila ndodhej me të shoqin në momentin kur viktima u qëllua me breshëri arme pranë banesës së tij, në qytetin e Shkodrës. Dëshmia e saj konsiderohet provë kyç në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, pasi edhe vrasësi, mësohet se ka qenë pa maskë në momentin kur është afruar pranë biznesmenit dhe ka qëlluar tetë herë me armë në drejtim të tij.
Kërkimet
Policia e Shkodrës ka bërë disa kërkime intensive, përqendruar kryesisht në periferi të qytetit në afërsi të kodrave të Tepeve nga dhe ku ishte marrë sinjalizim se në atë drejtim ishin larguar autorët. Përveç forcave të shumta të policisë në aksion është vepruar duke përdorur dhe qentë gjurmues. Në drejtorinë e policisë së Shkodrës është ngritur një grup i veçantë pune, që po merret me ngjarjen, me agjentët dhe ekspertët më të mirë të policisë. Veprimet për zbardhjen e ngjarjes po drejtohen nga vetë Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës.
Pistat e hetimit
Sipas policisë janë ngritur disa pista hetimi, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për tu ndalur tek ndonjë pistë e veçantë e për më tepër në autorët e ngjarjes. Sipas burimeve policore hetimet janë përqendruar kryesisht në të kaluarën e biznesmenit, ku dyshohet për një konflikt të vjetër që mund të ketë të bëjë me çështje pronësie. Megjithatë sipas policisë është ende herët për të saktësuar në lidhje me motivet gjithçka është duke u hetuar në detaje. Burime konfidenciale pohuan se të vetmet detaje kryesore për ngjarjen është fakti se biznesmeni është qëlluar nga një person i vetëm pa maskë, përshkrimi fizik i të cilit mbahet sekret dhe pas ngjarjes autori është larguar në këmbë në drejtim të periferisë nga kodrat e Tepes.

Vrasja e porositur?!

Policia e Shkodrës rindërton skemën e ngjarjes

Policia ka ndërtuar dhe një skemë të ngjarjes, sipas të cilës autori i ka zënë pritë biznesmenit tek dera e shtëpisë dhe është afruar me automatik kallashnikov në dorë, duke i kërkuar biznesmenit të zbresë nga makina në momentin që ndodhej fare pranë banesës. Në këtë kohë mes viktimës dhe autorit janë shkëmbyer disa fjalë dhe autori në fillim ka qëlluar me dy plumba biznesmenin dhe më pas ka derdhur mbi të një breshëri plumbash, ku kanë qenë prezent gruaja dhe dy fëmijët. Për policinë shkaku i vrasjes është një konflikt i vjetër, por në vrasje mund të kenë qenë të përfshirë më shumë se dy persona, të cilët kanë ruajtur lëvizjet e biznesmenit, duke mbajtur kontakte telefonike me autorin që i ka zënë pritë. Për policinë nuk përjashtohet mundësia që vrasja të ketë qenë dhe e porositur.

Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›