E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet false, çdo muaj do të ktheheht 40 % e shumës

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Të gjithë pensionistët që kanë mbushur moshën e daljes në pension dhe që kanë bërë falsifikime dokumentesh duhet të paguajnë për periudhën që kanë abuzuar. Sipas të dhënave nga ISSH, secilit prej tyre do ti zbritet një pjesë e pensionit të çdo muaji, deri në momentin e shlyrjes së borxhit që kanë “vjedhur” nga ISSH-ja. Zbritja e shumës së pensionit do të jetë deri në 40 % të vlerës totale. Çdo vit skema e pensioneve është përfshirë nga skandali i përfitimeve në mënyrë të padrejtë nga një numër i madh personash. Sipas të dhënave, çdo vit janë zbuluar mbi 500 dosje pensionesh false dhe një dëm madhor financiar që shkon në miliona lekë. Prej vitesh janë hedhur hije të forta dyshimesh mbi skemën e pensioneve dhe të numrit të atyre personave që mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, arrijnë që të përfitojnë pension të padrejtë. Statistikat flasin për rreth 80 mijë pensionistë të rremë. Edhe pse shifra mbetet ende jo e provuar zyrtarisht, numri i atyre që po bëhen publikë si përfitues të rremë në këtë skemë po rritet dita-ditës. Aktualisht është shumë e lehtë për të plotësuar dokumente për pension. Zyra komunash japin dokumente të rreme ose të pabazuara në dokumentacion, për njerëz që kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet bujqësore gjatë kohës së komunizmit. E njëjta gjë ndodh edhe me fabrikat e falimentuara. Për sa u përket falsifikimeve figurojnë persona të njëjtë, por me emra të ndryshëm, të cilët përfitojnë pensione në dy arka paguese të ndryshme. Pra, rezulton e njëjta fotografi në dy certifikata, por me gjeneralitete të ndryshme. Sipas verifikimeve që specialistët kanë bërë pranë zyrave të gjendjeve civile, ku rezulton e lëshuar ajo certifikatë, figuron se njëri emër, pra njeri person është i rremë dhe pagesa merret në mënyrë abuzive. Në kuadër të pastrimit të skemës, në dy vitet e fundit janë pushuar nga puna 30 punonjës, 14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet, ndërsa 16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false. Në nëntor të vitit 2009 u bënë publike rreth 800 dosje të falsifikuara për pension. Rreth 207 prej tyre u kategorizuan për verifikimin e dokumentacionit, që rezultonte me mangësi. Ndërkohë në Prokurorinë e Tiranës ndodhen nën hetim rreth 150 persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin për marrjen e pensionit. Ndërsa në minierën e Kukësit po për vitin 2009 dyshohet se 150 persona kanë përfituar pension të padrejtë. Por jashtë hetimeve nuk kanë mbetur as punonjësit e drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore ku janë dorëzuar këto dokumentacione dhe më pas janë dhënë dhe pensionet e paligjshme.
Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›