E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria, vetëvaret shoferi i drejtorit të Urdhrit të mjekut

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjendet i vetëvarur përballë spitalit Infektiv, shoferi i Drejtorit të Urdhrit të Mjekut. Trupi i pajetë i Avni Kitës u gjet i varur në pemë nga punonjëset e QSUT-së. Viktima mendohet të jetë vetëvarur në pemë duke hipur mbi makinë. Avni Kita ishte nga Librazhdi, por kishte vite që jetonte në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga burime policore sipas të cilave, ka qenë një telefonatë që ka njoftuar për vetëflijimin. Burime nga Komisariati numër 4, kanë bërë të ditur gjatë mbrëmjes së djeshme se, ngjarja mendohet të ketë ndodhur në një gjendje të rëndë depresive të ardhur si pasojë e shkaqeve ekonomike. Dhe pse janë marrë dëshmitë e familjarëve, policia nuk ka një variant zyrtar në lidhje me këtë ngjarje. Burime nga policia thanë se, 46- vjeçari ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ai kishte që nga viti 1999 që ishte i punësuar në institucionin e Urdhrit të Mjekut si shofer. Kohët e fundit ishte bërë dhe shoferi i drejtorit të këtij institucioni. Nga të dhënat e Urdhrit të Mjekut është mësuar se, viktima kishte qenë i rregullt në punë dhe nuk kishte shfaqur ndonjëherë probleme të theksuara depresive. Sipas tyre ai kishte ardhur nga Librazhdi dhe ishte vendosur në Shkozë (periferi të Tiranës), ku jetonte me familjen e tij. Ndërkohë që, ende nuk bëhen të ditura arsyet e këtij gjesti, mendohet se një prej shkaqeve që e ka çuar personin në fjalë në një veprim të tillë të ketë qetë depresioni. Sipas të dhënave, depresioni mësohet se është shkaktuar si pasojë e gjendjes ekonomike që po kalonte familja Kita. Pas njoftimit të parë që kanë shkuar në vendngjarje kanë qenë efektivët e Komisariatit numër 4. Këta të fundit kanë nisur hetimet dhe më pas aty kanë mbërritur dhe specialistë të Drejtorisë së Policisë, që kanë bërë këqyrjet e para dhe më pas kanë marrë dhe dëshmitë. Trupi i viktimës është transportuar prej policisë në morg ku pritet që ti bëhen edhe ekzaminimet e fundit për të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›