Atentati, miku i Shullazit u qëllua me 10 plumba
Atentati i dy ditëve më parë në Tiranë, ku mbeti i plagosur Gilmando Dani, është cilësuar nga grupi hetimor si një paralajmërim për 33-vjeçarin dhe mikun e tij Emiljano Shullazi.Sipas burimeve nga Policia e Tiranës në plagosjen e Gilmando Danit, ngjarje që ndodhi të shtunën në mbrëmje, kanë marrë pjesë më shumë se dy persona. Ky fakt, është provuar nga dhjetë gëzhoja arme që janë gjetur në vendin e ngjarjes, që sipas ekspertëve të policisë i përkasin dy armëve të ndryshme, njëra prej të cilave automatike. Fakti që Gilmando Dani është goditur nga një plumb i vetëm, që e ka plagosur në kofshë, duke mos i shkaktuar rrezik për jetën, shpjegon dyshimet e grupit hetimor për një atentat paralajmërues. Autorët kanë qenë të mirinformuar për vendbanimin e Gilmando Danit, që sipas policisë është një shtëpi private mes bllokut të pallateve tek ish-Parku i Autobusëve, ku banon edhe Emiljano Shullazi. Godina e banimit është e pajisur me kamera sigurie, që tregon se edhe Gilmando Dani edhe Emiljano Shullazi kanë vendosur një sistem masash sigurie për të mbajtur çdo lëvizje nën kontroll. Sipas Policisë, autorët i kanë zënë pritë 33-vjeçarit Gilmando Dani në dy pozicione të ndryshme, fare pranë shtëpisë së tij. Në vendin e ngjarjes është parë një makinë, nga brendësia e së cilës është qëlluar me breshëri, ndërsa dyshohet edhe për një person tjetër, që priste në këmbë në brendësi të një tuneli pallati, përballë shtëpisë së tij. Sipas Policisë, i plagosuri është qëlluar nga dy drejtime e megjithatë ka marrë vetëm një plumb në këmbë.
DESHMITE
I pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore në Spitalin Ushtarak, 33-vjeçari Gilmando Dani ka treguar se nuk ka arritur të identifikojë personat që e kanë qëlluar me armë mbrëmjen e së shtunës. Sipas tij, në momentin që është sulmuar me armë ai është zënë në befasi dhe nuk ka arritur të kontrollojë mirë situatën e për rrjedhojë nuk ka mundur të shikojë fytyrat e tyre për shkak të errësirës. Gilmando Dani ka treguar se, në momentin kur është goditur nga një plumb, është shtrirë duke stimuluar sikur kishte vdekur dhe sipas tij, për këtë arsye nuk e kanë goditur plumbat e tjerë. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe katër persona të tjerë, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes. Ata kanë treguar se kanë parë një makinë me ngjyrë të zezë, nga e cila është qëlluar dhe një person tjetër që ka vrapuar përmes tunelit të pallatit, që sipas tyre ishte bashkëpunëtor i personave që ndodheshin në makinë.
MAKINA E GILMANDO DANIT
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale makinën tip Mercedez ML, ngjyrë e bardhë, e cila është në pronësi të Gilmando Danit. Ai ka qenë duke udhëtuar me këtë mjet, në kohën kur ndodhi ngjarja dhe kishte zbritur prej saj për të liruar vendin ku do ta parkonte. Ekspertët do të kryejnë ekzaminimet përkatëse brenda makinës së sekuestruar për të fiksuar ndonjë gjurmë apo provë që mund të ndihmojë në hetimin.
Shtëpia e përbashkët me Emiljano Shullazin
Gilmando Dani dhe miku i tij i ngushtë Emiljano Shullazi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua gjatë ditës së zgjedhjeve për armëmbajtje pa leje, jetojnë në të njëjtën shtëpi, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Shtëpia dykatëshe, që ndodhet mes një blloku pallatesh të vjetra, është e blinduar me kamera sigurie, që prej momentit kur Shullazi u lirua nga burgu, në dhjetor të vitit të kaluar, pasi kreu dënimin për trafik droge. Pavarësisht se është e njëjta shtëpi për të dy, ajo ka dy hyrje të ndryshme dhe në njërën anë të saj jeton familja e Danit, ndërsa në anën tjetër familja e Shullazit. Atentati i dy ditëve më parë, nga ku mbeti i plagosur Gilmando Dani, ndodhi pikërisht pranë shtëpisë së dy miqve, në momentin kur Dani po kthehej në shtëpi me makinën e tij fuoristradë tip Mercedez ML.
ETLEVA DELIA