E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj Erion Braçes, prokuroria pezullon dosjen

Krimet e Rënda nuk kanë mundur që të identifikojnë autorin dhe kanë kërkuar rihetim nga ana e policisë

TIRANË- Atentati me tritol ndaj makinës së deputetit Erion Braçe këtu e 20 muaj më parë mbetet ende pa autor. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve disa mujore, është dorëzuar duke vendosur pezullimin e dosjes hetimore dhe kalimin e saj edhe një herë për në polici. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendrorë të akuzës, të cilët theksuan se nga hetimet e kryera deri më tani, nuk është bërë e mundur identifikimi i apo zbulimi i atentatorit të deputetit Braçe, makina e të cilit u hodh në erë me anë të 35 gramëve tritol mbrëmjen e 9 prillit të vitit 2007.

Sipas këtyre burimeve mësohet se kjo dosje hetimore është hetuar për më shumë se një vit nga prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe akte-ekspertime të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe marrjen në pyetje të shumë personave dhe dëshmitarëve që ndodheshin në vendngjarje natën e 9 prillit 2007. Përveç marrjes në pyetje, sipas prokurorisë janë marr edhe prova të tjera shtesë, si kasetat e regjistrimit nga kamerat e sigurisë në njërin nga filialet e bankave që ndodhet aty pranë, por, që mësohet se cilësia e dobët e regjistrimit nuk i ka ndihmuar hetuesit e çështjes dt zbardhin apo identifikojnë personin që hodhi tritolin poshtë makinës së Braçes mbrëmjen e 9 prillit. Ku si pasojë e shpërthimit të sasisë së tritolit prej 35 gramësh u dëmtua motorri i makinës dhe disa xhama të lokaleve për rreth vendit ku ishte parkuar makina e vjetër e deputetit Braçe. “Në mungesë të gjetjes së ndonjë prove konkrete për të ngritur dyshime ndaj atentatorit, është vendosur pezullimi i dosjes dhe delegimi i saj në polici për hetime të mëtejshme”,-thanë burimet e akuzës. Ndërkohë, mësohet se edhe rasti i arrestimit të 27- vjeçarit Bletion Mustafaj pak ditë pas këtij shpërthimit dhe dyshimeve të ngritura nga vetë ai se ka qenë autor i vendosjes së tritolit poshtë makinës kanë rënë, pasi u vërtetua se i riu 27 vjeç vuante nga sëmundja e skizofrenisë. Sipas prokurorisë, ka qenë kjo sëmundja që 27 vjeçari të marrë përsipër dhe autorësinë e vendosjes së tritolit ndaj makinës së deputetit Braçe, por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Mustafaraj është i pajisur me një kartelë spitalore invalidi të grupit të II të skizofrenisë, ku është i pajisur edhe me vërtetimin përkatës nga shërbimi i psikiatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë “Nënë Tereza”.

Kështu që prokuroria e Krimeve të Rënda, duke parë mungesën e provave për t’i dhënë drejtim dosjes, ka vendosur pezullimin e saj dhe dërgimin për hetime të mëtejshme policisë së shtetit. Sipas akuzës, ka qenë data 9 prill 2007, kur deputeti Braçe sapo ishte larguar nga mbledhja e Kongresit të Partisë Socialiste. Me përfundimin e këtij kongresi, pasditen vonë rreth orës 18:00 deputeti Braçe me ndihmën e makinës së tij të tipit “Benz” 240 me targa “TR 70 55 A” ka mbërritur pranë zyrave të gazetës “Zëri i Popullit”, ku ka parkuar pak metra nga hyrja kryesore e kësaj gazete që ndodhet në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë. Nuk ka zgjatur shumë, por pas rreth 30 minutave, makina e deputetit Braçe është hedhur ne erë nga tritoli i vendosur poshtë motorit të makinës së tij. Sipas akuzës, ky atentat ndaj deputetit Braçe makina e të cilit u shkatërrua thuajse plotësisht, u regjistruar si vepër penale e “akteve terroriste” dhe “vrasjes me paramendim në rrethane cilësuese”, për shkak të funksionit që ka i dëmtuari Erion Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›