E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku plagoset me thikë në zyrën e tij

Bashkëshorti i një pacienteje i ka kërkuar mjekut që t’i siguronte një benefit dhe kur ky nuk ka pranuar, e ka qëlluar

Agron Ylli ka qendrur për 7 orë në operacion dhe më pas ka dalë nga gjendja e rrezikut

TIRANË- Një mjek është sulmuar dhe goditur me thikë në zyrën e tij në Tiranë nga bashkëshorti i një pacienteje. Mjeku endokrinolog dhe diabetolog Agron Ylli,është goditur dy herë me thikë nga 35-vjeçari Bujar Valisi vetëm sepse nuk pranoi që t’i siguronte një benefit bashkëshortes së tij. “Unë vetëm mund të mjekoj bashkëshorten tuaj, nuk mund të siguroj kemp, sepse këtë e vendos komisioni”. Një tentativë e qartë për të shpjeguar bashkëshortin e një pacienti se nuk ishte kompetent për të lëshuar dokumentacionet e kempit, por që për pak i ka kushtuar jetën mjekut 50-vjeçar Agron Ylli, i cili ka shpëtuar vetëm në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme kirurgjikale. Pak minuta më pas, policia ka arrestuar dhunuesin e mjekut.

Ngjarja

Prej më shumë se shtatë vjetësh, bashkëshortja e 35-vjeçarit Bujar Valisi vuante nga gjëndrat tiroide. Gjendjen e saj e kishte ndjekur mjeku Agron Ylli, ndaj dhe Bujar Valisi çonte gruan e tij në klinikën e Yllit për të marrë mjekime. Mësohet se 35-vjeçari ka tentuar t’i sigurojë “kemp” gruas së tij, me qëllim që ajo të paguhej nga shteti për shkak se sëmundja e saj ishte e gjatë dhe nuk mund të ishte e aftë për të punuar. Por për të marrë një vërtetim mjekësor nga e cila do të tregohej paaftësia e pacientes për të punuar për shkak të sëmundjes, Valisi është paraqitur te mjeku Agron Ylli, i cili prej vitesh e kuronte atë. “Ke kaq vite që kuron gruan time dhe duhet të më japësh vërtetimin se dua t’i siguroj kemp”,- mësohet t’i ketë thënë 35-vjeçari, doktorit. Por doktori i është përgjigjur se ai nuk ka lidhje me kempin sepse atë e vendos një komision i veçantë. Ai merret vetëm me mjekimet. Në këtë moment Valiasi ka shfaqur shenja agresiviteti. Ai ka dëgjuar deri në fund mjekun dhe më pas ka nxjerrë një thikë, të cilën e kishte me vete duke goditur dy herë Yllin.

Policia

Asistentet e mjekut dhanë menjëherë alarmin për plagosjen e mjekut, duke vënë në lëvizje policinë. Kanë qenë disa punonjës policie që po patrullonin pranë zonës ku ndodhi ngjarja, të cilët mundën të kapnin menjëherë autorin sapo ai doli nga klinika. Ndërkohë që mjeku Agron Ylli u transportua me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Autori i ngjarjes, Bujar Valisi, u shoqërua në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku dhe u mor në pyetje. Burime nga policia thanë se në momentin që ka goditur me thikë mjekun, armë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 35-vjeçari dyshohet të ketë qenë në gjendje të dehur. “Isha i dehur kur plagosa mjekun. Ai nuk më ndihmonte t’i siguroja kemp gruas, ajo kishte shumë vjet që kurohej vetëm te ai”,- mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë kriminale Bujar Valisi.

Kemp

Është një dokument i veçantë që lëshohet nga një komision i kryesuar nga shefi i shërbimit që vërteton se pacienti për një arsye të veçantë shëndetësore, është i paaftë për të punuar. Kemp lëshohet edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara. Me anë të këtij dokumenti përfitohet një pagë mujore.

Një ditë më parë, Valisi kishte qenë në zyrën e mjekut Ylli për të njëjtën arsye

Policia: Sulmi ishte i paramenduar

TIRANË- Ngjarja që ndodhi rreth orës 10:30 në ambientet e brendshme të një klinike pranë “Shallvareve” në Tiranë ku mbeti i plagosur rëndë doktori Agron Ylli, dyshohet se ka qenë e paramenduar nga autori. Bujar Valisi kishte qenë edhe tre javë më parë në klinikën ku ushtronte profesionin e tij mjekuendokrinolog dhe diabetolog duke i kërkuar atij një vërtetim pasi do të siguronte një kemp për bashkëshorten e tij, e cila prej vitesh kurohej te ky mjek. Mirëpo Ylli nuk ka pranuar të lëshojë vërtetim duke deklaruar se nuk ishte kompetent dhe për të një gjë e tillë ishte e pamundur. Pasi kishin debatuar me njëri-tjetrin Bujar Valisi ishte larguar për tu rikthyer sërish ditën e djeshme. Kësaj radhe duket se ai kishte vendosur t’i “mbushte mendjen” mjekut të lëshonte vërtetimin me hir apo me pahir, për këtë gjë kishte marrë edhe një thikë me vete. “Fakti që autori kishte thikë me vete ngre dyshime se ai kishte menduar për kundërshtimin e mjekut ndaj dhe dyshohet se kishte vendosur që në këtë rast ta godiste”,- thanë për “Shekullin” burime policore, të cilat shtojnë se një gjë e tillë pritet të vërtetohet gjatë hetimeve. Autori pranon krimin: Isha i dehur

TIRANË- Pas arrestimit, Bujar Valisi, autori i dyshuar i plagosjes së mjekut është marrë në pyetje nga oficerët e policisë kriminale, përpara të cilëve ka pranuar autorësinë e ngjarjes. “Po unë e plagosa mjekun. Isha në gjendje të dehur ku e godita”,- mësohet të ketë thënë në polici 35-vjeçari. “I kisha thënë edhe më parë doktorit se doja të merrja kemp për gruan time, e cila prej vitesh është e sëmurë. Ai kishte shumë kohë që merrej me kurimin e gruas sime, dhe duhet të më jepte një vërtetim për kemp. Nuk më ndihmoi dhe në gjaknxehtësi e sipër e qëllova”,- ka vazhduar me tej me dëshminë e tij i arrestuari.

PECEDENTËT

Më 30 shtator të këtij viti mjeku neurolog Kosta Koçi u qëllua me thikë në klinikën e tij private në Vlorë. Policia nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin e plagosjes së mjekut 65-vjeçar

Më 11 prill të këtij viti, Ali Rifatllari mjek në spitalin “Nënë Tereza” u godit me thikë në ambientet e spitalit. Autori i ngjarjes, Arben Strazimiri, tha se kishte marrë hakun e dajës së vdekur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›