Spiunët, PD: Ligji për prokurorët dhe gjyqtarët
Relatori demokrat i projektligjit, Aldo Bumçi, ka deklaruar dje se me anë të tij synohet spastrimi i Prokurorisë dhe gjykatave
“Ky ligj synon ndëshkimin, spastrimin, shtetëzimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese, si Prokuroria dhe Gjykata”
Partia Demokratike është “zhveshur” nga sjellja diplomatike dhe ka dalë hapur në qëndrimin e saj se draft-ligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, ose siç njihet ndryshe në gjuhën e përditshme, si drafti i “spiunëve” është ndërmarrë për të penalizuar kryesisht prokurorët dhe gjyqtarët. Një qëllim i tillë është bërë i ditur dje nga relatori i këtij projektligji, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, i cili për herë të parë, në emër të forcës që ai përfaqëson, ka theksuar se nisma ligjore për hapjen e dosjeve, më së shumti, është marrë për të “spastruar”, siç e ka vlerësuar, institucionet e drejtësisë nga ish-persekutorët politikë të regjimit totalitar. Sipas tij, është e pafalshme për shtetin shqiptar që të mbajë sot në detyrë njerëz që dikur, në një kohë të largët, kanë ndjekur, persekutuar dhe vrarë, njerëz për bindje politike. “Të mbash sot prokurorët që kanë torturuar dhe thyer shtylla kurrizore të njerëzve të pafajshëm, kanë lidhur me tela me gjemba edhe në vitet 1990, kanë marrë pjesë direkt dhe në ekzekutime, apo të mbash gjykatësit e këtyre krimeve, do të thotë të legjitimosh dhunën dhe barbarinë komuniste ndaj shqiptarëve, do të thotë pretendosh se në këto 18 vite demokraci, në Shqipëri nuk paska prokurorë dhe gjykatës të tjerë që nuk kanë kryer krime në të shkuarën dhe që të gjykojnë në përputhje me ligjet e vendit”, - u shpreh deputeti Aldo Bumçi. Por, përtej këtij qëllimi të pranuar nga të gjithë krahët e politikës, duket se qëndron një qëllim i mbrapshtë i kësaj mazhorance, e cila sipas opozitës, po kërkon të godasë ata prokurorë dhe gjykatës që sot i ka jashtë kontrollit dhe që kanë në dorë çështje me një rëndësi të veçantë për shtetin e së drejtës, siç janë çështja “Basha”, çështja “Gërdeci” etj. Kështu, sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, objektivi i demokratëve në këtë nismë ligjore është i qartë; goditja e atyre prokurorëve dhe gjykatësve që po ndjekin dosjen “Rrëshen-Kalimash”, për të cilën, i akuzuari kryesor është ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha. “Ligji i famshëm për hapjen e dosjeve nuk do të hapë dosjet, as të zyrtarëve të lartë, as të atyre që kanë punuar për agjenturat e huaja në Shqipëri dhe as të atyre që i kanë shërbyer UDB-së serbe. Ky ligj synon ndëshkimin, spastrimin, shtetëzimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese, si Prokuroria dhe Gjykata”,- tha Braçe gjatë një konference për shtyp. Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, socialistët shprehen të sigurt se, jo vetëm ligji për dosjet, por asnjë metodë tjetër e kësaj mazhorance nuk do të mund të mbyllë dosjet “Basha”, “Gërdeci” apo dosjen “Fazlliç”. Në këtë mënyrë, ai ka paralajmëruar dhe një votë të mundshme kundër, që pritet të mbajë Grupi Parlamentar socialist gjatë diskutimit të ligjit nesër ne seancë plenare.