Mori peng për 100 mijë lekë, dërgohet në gjyq
TIRANË- Ka marrë peng një person për një milion lekë të vjetra dhe e ka lënë atë sërish të lirë vetëm pasi ka marrë paratë. Ky veprim sa i dhunshëm aq edhe abusurd, për shkak të shumës së parave, do t’i kushtojë një personi gjykimin për pengmarrje dhe gjobëvënie. Prokuroria e Krimeve të Rënda, mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi për gjykim dosjen ndaj Saba Shkozës. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori Gent Trenova, i pandehuri Shkoza i dënuar më parë për vjedhje me armë ka rrëmbyer shtetasin me iniciale Y.Seferin për qëllime përfitimi, duke ia marrë familjes së tij kundrejt lirimit një milion lekë të vjetra.
“Nga hetimet dy mujore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka rezultuar se më 9 shtator 2008, shtetasi i rrëmbyer Y.Seferi ka denoncuar në policinë e kryeqytetit rrëmbimin e tij për 9 orë nga një person që më vonë u identifikua si shtetasi Sabah Shkoza. Më datën 8 shtator, rreth orës 20:30 minuta shtetasi Seferi pasi ka përcjellë në shtëpi dy punëtorët e lokalit ku edhe ai punonte, është kthyer për të parkuar makinën e tij tip “Benz” 240 me targa TR 6933 A në vendin e njohur si “Dajti Park”. Pas mbylljes së makinës, i riu Seferi është nisur për në shtëpi, të cilën e kishte rreth 300 metra larg parkingut. Vetëm pak metra pa mbërritur në shtëpi, Seferit i ka dalë para i pandehuri Saba Shkoza me një automatik në dorë dhe veshur me rroba kamuflazhi, i cili e ka urdhëruar pengun e tij të ulet në tokë ose për ndryshe do ta vriste”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas saj, në këtë moment, i pandehuri e ka kontrolluar nëpër xhepat e rrobave për para dhe më pas e ka urdhëruar Seferin të zbërthejë lidhëset e këpucëve me të cilët ia ka lidhur duart. Pas kësaj, nën trysninë e armës e ka detyruar Seferin të ecë në këmbë me duar lidhur e ka futur në pyll duke e dërguar në rrugë pa krye. Pas 8 orë rrugëtim nëpër pyll, i pandehuri me pengun kanë mbërritur në fshatin Selbë të kryeqytetit, ku i ka telefonuar të vëllait të viktimës duke urdhëruar që brenda 30 minutave të sjellë 100 mijë lekë të reja, në të kundërtën nuk do ta shohë më vëllanë. Sipas akuzës, paratë janë grumbulluar nga i vëllai i pengut me iniciale E.S. dhe kushëriri i tyre F.S. të cilët pas telefonatës së dytë nga pengmarrësi kanë shkuar në fshatin Përcellash ku i kanë dorëzuar paratë dhe kanë marrë vëllain e tyre Y.Seferi. I pandehuri është larguar me vrap në mal, për tu arrestuar më 16 tetor të këtij viti, ku dhe po qëndron në paraburgimin “Jordan Misja” në pritje të fillimit të gjyqit. Identifikimi i tij, është bërë nëpërmjet analizës së gjurmëve të gishtave të gjetur një një shishe ujë, që i pandehuri e ka përdorur për të hequr etjen, shishe kjo që është gjetur në vendin e dorëzimit të pengut nga policia pas denoncimit. Pritet që dosja penale të hidhet në short elektronikë nga i cili do të caktohen edhe pesë anëtarët e trupit gjykues që do të gjykojnë të pandehurin Saba Shkoza.