E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot shtrenjtojnë kreditë në lekë

Në ankandin e fundit, interesi i bonove arriti rekordin historik prej 8.46%

Rritja e interesave të bonove ndikon në interesat e kredive dhe shtrenjtimin e borxhit për qeverinë

Ankandi i fundit i letrave me vlerë, rezultoi me një rrije historike të interesit mesatar të ponderuar për bonot e thesarit me afat maturimi njëvjeçar. Ky interes arriti në 8.46 për qind, ose 0.22 pikë përqindje më i lartë se ai i arritur në ankandin e fundit të zhvilluar në fund të nëntorit.

Rritja konstante prej disa muajsh e interesit të bonove të thesarit ndikon direkt në rritjen e interesit të kredive në lekë, pasi norma e interesit e bonove te thesarit është baza mbi të cilën llogariten interesat që aplikojnë bankat mbi kreditë në lekë që japin për klientët. Megjithatë, duhet thënë se megjithëqë rritjen e interesave të kredive, shuma e dhënë e kredisë ka vazhduar rritjen. Totali i kredisë ka arritur në rreth 4 miliardë dollarë.

Një fenomen tjetër vihet re edhe në kredinë në valutë. Prej afro 8 vitesh bankat kanë filluar të japin kredi të konsiderueshme në dollarë dhe euro. Kreditë e dhëna në këto monedha zënë rreth 72 për qind të stokut të kredive. Kriza e ndodhur në tregjet ndërkombëtare ka bërë që normat e interesit të kredive në Evropë të pësojnë rënie. Euribor-i, treguesi i mesatares së normës së interesit të kredive që jepen nga bankat kryesore evropiane, ka shënuar një normë prej 3.47 përqindësh në fund të kësaj jave, duke humbur prej disa muajsh disa pikë përqindje. Kreditë e dhëna në euro kanë një interes zakonisht euribor+ 3 deri në 3.5%. Rënia e euribor-it ka ndikuar në rënien e interesit të kredive të dhëna në monedhën euro në Shqipëri. Por bankat e nivelit të dytë nuk kanë reflektuar këtë tendencë në rënie edhe në shtesën e interesit mbi normat bazë.

Sipas specialistëve, rënia e kësaj norme interesi duhet bërë për të minimizuar një problem, me të cilin përballet tregu bankar, kreditë me probleme. Sipas raporteve të Bankës së Shqipërisë, tremujori i dytë i këtij viti shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar, me rreth 2.7 miliardë lekë, ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm.

Qeveria

Rritja e normës së interesit të bonove të thesarit nuk ndikon vetëm tek rritja e kredive për qytetarët, por edhe tek qeveria. Kështu, qeverisë i duhet të vazhdojë të paguajë një borxh akoma më të shtrenjtë. Nevoja për më shumë para në fund të vitit e kushtëzon qeverinë të blejë borxh më të shtrenjtë, nga bankat e nivelit të dytë, të cilat zotërojnë mbi 60 për qind të stokut të borxhit të brendshëm, pasi buxhetorët nxitojnë të likuidojnë detyrimet para fundit të vitit, për të kapur afatin ligjor, që është 31 dhjetori. Në këtë periudhë ka një bum tenderash dhe dorëzim situacionesh.

Kjo kërkesë e shtuar e qeverisë, së bashku me mungesën e liberalizimit të vërtetë të tregut të bonove të thesarit, kanë qenë dhe mbeten shkaktarët kryesore të mbajtjes në nivele të larta në normës së interesit të bonove të thesarit. Dhe ajo që është më me rëndësi se normat e larta të interesit që paguan qeveria, nuk shkojnë si shpërblim për kursimtarët shqiptarë, por për bankat e nivelit të dytë, të cilat përfitojnë pa shumë mundim interesa të larta nga blerja e letrave me vlerë.

Nr. i ankandit 1361

Dt. e ankandit: 02.12.2008

Dt. e maturimit: 03.12.2009

Nr. i muajve: 12

Shuma e shpallur: 5,100,000,000 lekë

Kërkuar Pranuar

Nr. i kërkesave konkurruese 12 12

Totali (lekë) 5,132,230,000 5,100,000,000

Yield-i mesatar i ponderuar 8.46% 8.46%

Yield-i maksimal 8.59% 8.59%

Yield-i minimal 8.19% 8.19%

Yield-i mesatar i thjeshtë 8.36% 8.36

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›