Policët dhunë ndaj bluzave të bardha
Vetëm pra 4 ditësh një polic ka ushtruar dhunë fizike ndaj personelit të pediatrisë në QSUT. Drejtoria e Policisë nuk dëgjon as denoncimin
Mjekët janë të dhunuar jo vetëm nga personat me çrregullime mendore, por edhe nga vetë forcat e policisë. Vetëm 4 ditë më parë, një polic në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ka ushtuar dhunë ndaj bluzave të bardha në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mjekët e këtij spitali pohojnë për gazetën “Shekulli” se skandale të tilla janë të paprecedentë në asnjë vend tjetër, dhe fakti që edhe forcat e rendit i dhunojnë, kjo i kalon kufijtë e normales. Por skandali i këtij rasti është akoma më alarmant, pasi denoncimi i mjekëve në Drejtorinë e Policisë ka rënë në vesh të shurdhët, madje as nuk i ka pritur njeri.
Tmerri
Tmerr në korridoret e Pediatrisë. Një polic, madje i veshur me uniforma, nuk ka ngurruar të ushtrojë dhunë fizike, duke filluar që tek punonjësja që mbante rregull te dera e pavijonit. Pas saj, burime pranë Pediatrisë, pohojnë se radhën e ka pasur shefja e shërbimit, e cila është shtyrë nga polici në sy të gjithë kolegëve dhe pacientëve që ndodheshin për të marrë ndihmë mjekësore. Polici ka kërkuar që fëmija i tij të vizitohej, ndonëse nuk kishte zbatuar sistemin e referimit dhe aq më tepër kërkonte vizitë nga mjeku që nuk ishte në shërbim, por ishte duke u dhënë leksione studentëve. “Mjekët i kanë vizitat me grafik dhe nuk mund të bëjnë konsulta, nëse nuk kanë ditën e caktuar. Persona të tillë, jo vetëm që nuk zbatojnë rregulloren, por kërkojnë që të vizitojnë medoemos vetëm profesorët, ndonëse në shërim ka edhe mjekë të tjerë shumë të mirë”,- pohojnë mjekët e Pediatrisë në QSUT.
Denoncimi
Skandali në Pediatrinë e QSUT-së ka vazhduar me faktin se polici që ushtroi dhunë, jo vetëm që nuk është dënuar por institucioni nga ai varet, nuk ka marrë mundimin as të presë mjekët që kanë shkuar të bëjnë denoncimin. “Sapo ndodhi skandali, shkuam te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Tiranës të ankohemi, por na sorollatën me orë të tëra dhe, si përfundim, as nuk e morën mundimin të merrnin denoncimin. Ky është kulmi dhe nuk ka ku shkon më keq se kaq. Të dhunohemi edhe nga vetë forcat e rendit që duhet të na mbrojnë, është e patolerueshme”,- theksojnë mjekët e Pediatrisë së QSUT-së.
Godo: Është klimë acaruese mes pacientëve dhe mjekëve
Klimë acaruese, që po sjell situata aspak normale mes bluzave të bardha dhe pacientëve. Kështu u shpreh kreu i Shëndetësisë për gazetën në lidhje me situatën e krijuar ndaj dhunës mbi mjekët. Sipas Godos, problemi nuk qëndron vetëm tek rasti i mjekut Agron Ylli, por për situatën në përgjithësi. Për të kapërcyer këtë situatë, sipas saj, duhet të ndihmojmë të gjithë, duke filluar që nga mediat. Fakti që mjekët janë etiketuar si kriminelë apo lobingjet e shumta për luftën ndaj korrupsionit, ka ndikuar tepër negativisht për të acaruar situatën dhe, në disa raste, ka stimuluar njerëz me çrregullime mendore që të arrijnë deri në këtë pikë, duke sulmuar barbarisht bluzat e bardha. e.b
Anila Godo, ministre e Shëndetësisë
Problemi nuk qëndron vetëm tek rasti i mjekut Agron Ylli, por për situatën në përgjithësi. Për të kapërcyer këtë situatë, sipas saj duhet të ndihmojmë të gjithë, duke filluar që nga mediat. Fakti që mjekët janë etiketuar si kriminelë apo lobingjet e shumta për luftën ndaj korrupsionit, ka ndikuar tepër negativisht për të acaruar situatën.
Pjerin Radovani, shef i ORL-së
“Vrasësi i vërtetë i bluzave të bardha nuk janë tipa të tillë që sulmuan Agron Yllin dhe kolegë të tjerë, por është qeveria që e lë shëndetësinë në këtë situatë katastrofë, është Kryeministri që ka lënë bluzën e tij të bardhë prej 18 vjetësh dhe u thotë ish-kolegëve të tij kriminelë dhe jeni ju mediat që transmetoni akuzat e tyre, aspak të vërteta, dhe aspak njerëzore
Faik Toska, Presidenti i Urdhri të Mjekut
Mendoj se edhe Ministria e Shëndetësisë duhet të luajë rol për këto raste ekstreme që po ndodhin. Nëse këta persona me çrregullime mendore sulmojnë bluzat e bardha, duhet t’u tregohet vendi. Mjekët po sulmohen dhe poshtërohen nga akuza edhe të qeveritarëve, por edhe të medieve, dhe askush nuk merr masa. Rastet e dhunës ndaj tyre po shtohen çdo ditë, ndaj duhen marrë masa emergjente.
Shefat: Po na masakron kryeministri, jo kriminelët
Nuk janë kriminelët ata që po na vrasin dhe poshtërojnë, por në radhë të parë është shteti me në krye Kryeministrin. Kështu e kanë shprehur revoltën e tyre mjekët, pas rastit të fundit të plagosjes në mënyrë makabre ndaj mjekut Agron Ylli. Shefat e shërbimeve janë shprehur tepër të revoltuar ndaj kësaj situate dhe theksojnë se janë viktima të qeverisë dhe të medias, që po i stigmatizojnë si kriminelë. Shefi i shërbimit të ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Pjerin Radovani, theksoi për gazetën se ngjarja që i ndodhi kolegut të tyre, Agron Yllit, është një akt makabër. “Vrasësi i vërtetë i bluzave të bardha nuk janë tipa të tillë që sulmuan Agron Yllin dhe kolegë të tjerë, por është qeveria që e le shëndetësinë në këtë situatë katastrofë, është Kryeministri që ka lënë bluzën e tij të bardhë prej 18 vjetësh dhe u thotë ish-kolegëve të tij kriminelë dhe jeni ju mediat që transmetoni akuzat e tyre, aspak të vërteta, dhe aspak njerëzore”, - thekson Radovani. Problemi më i madh, sipas tij, qëndron në faktin se mjekët dhunohen, masakrohen dhe poshtërohen dhe askush nuk i merr në mbrojtje, pasi asnjë nga personat që kanë kryer këto akte të paprecedentë nuk dënohen. Të njëjtin mendim ndajnë edhe shefat e tjerë të QSUT-së, të cilët theksojnë se politikat e gabuara kanë sjellë këtë klimë acaruese mes pacientëve dhe bluzave të bardha. Ndërsa Presidenti i Urdhrit të Mjekut për rajonin e Tiranës, Faik Toska, theksoi se rasti i plagosjes së mjekut Agron Ylli, i ka indinjuar ata shumë dhe u bëjnë thirrje organeve kompetente të marrin masa ndaj këtyre personave. “Mendoj se edhe Ministria e Shëndetësisë duhet të luajë rol për këto raste ekstreme që po ndodhin. Nëse këta persona me çrregullime mendore sulmojnë bluzat e bardha, duhet t’u tregohet vendi. Mjekët po sulmohen dhe poshtërohen nga akuza edhe të qeveritarëve, por edhe të mediave dhe askush nuk merr masa”,- pohon Toska.