Atentati ndaj Nunit,Topi kritikon institucionet
Presidenti Bamir Topi vizitoi sot në mesditë anëtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Nuni, i cili gjendet i shtruar dhe nën kontrollin e mjekëve në Spitalin Ushtarak pas një sulmi me armë zjarri ndaj tij, mbrëmjen e shkuar. Kreu i shtetit u ka bërë apel institucioneve përkatëse që të sigurojnë jetën e figurave të drejtësisë. "Duhet që organet specifike, jo ato që do të japin drejtësi, por ato që duhet të parandalojnë situata të tilla, sikurse janë shërbimet inteligjente, policia kriminale dhe struktura të tjera të specializuara duhet të bëjnë një punë më të madhe paraprake dhe të mos vijnë të bëjnë vetëm bilancin kur ndodhin situata, sepse profilaksia për të mbrojtur jetën e çdo qytetari është shumë e rëndësishme"-theksoi Topi para gazetarëve. Presidenti i vendit theksoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të vazhdojë të operojë me më shumë profesionalizëm dhe "jam i bindur që organet e policisë do të bëjnë të mundur identifikimin e autorit dhe sikurse tentativa ka qenë ekstreme, patjetër që edhe gjykimi duhet të jetë me masa ekuivalente, që do të thotë që të jepet drejtësi vetëm mbi bazën e shtetit ligjor".Ai tha më tej, se shumë struktura shtetërore duhet që jo vetëm të përmirësojnë punën, por të ketë edhe më shumë përkushtim, pasi sipas Topit, "ata që punojnë, kudo që punojnë, qoftë në organet e policisë, të inteligjencës, por edhe të administratës shtetërore, cilido duhet të punojë me seriozitet dhe përkushtim, sepse cilido mund të bëhet barrierë dhe të bëhet paralizues për situata të tilla".