Bashkia e Peqinit investon nga buxheti i saj 4.8 milion lekë për rikonstruksionin e sheshit qendror

Me një fond prej 4.8 milion lekësh nga buxheti i Bashkisë së Peqinit, ka nisur këto ditë rikonstruksioni i qendrës së këtij qyteti. Kryetari i Bashkisë së Peqinit Ilir Rrushi tha se rikonstruksioni do të prekë sheshin përpara Qendrës së Kulturës si dhe sheshin përpara xhamisë në qëndër të qytetit. Punimet kanë thuajse një javë që kanë filluar dhe aktualisht po punohet në sheshin përballë Qendrës së Kulturës. “Ky shesh rreth 1300 m2 do të shtrohet me pllaka dhe do të rrethohet me mur, ndërsa do të rikonstruktohet tërësisht sistemi i tij i ndriçimit - tha kryebashkiaku Rrushi, duke shtuar se “për ta bërë këtë shesh më funksional do të vendosen stola për të pushuar qytetarët ”. Qyteti i Peqinit, me 30000 banorë, ka një të kaluar të lashtë, e cila pasqyrohet në monumentet historike si kalaja, xhamia, ura e vjetër mbi rrugën Egnatia dhe kulla e sahatit që është simboli i qytetit. Investimi që po kryhet në qendër të qytetit, mund të shërbejë për rritjen e numërit të turistëve qe dëshirojnë të vizitojnë këtë qytet në të ardhmen.
...