E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj Papa Gjon Palit II, Agca lirohet nga burgu

Autori i Lajmit: Redaksia
Turqi - Turku Mehmet Ali Agca, i cili në vitin 1981 qëlloi me armë zjarri Papa Gjon Palin II, është liruar ditën e djeshme nga burgu, pas 29 viteve të kaluara prapa hekurave. Mehmet Ali Agca përshëndeti gazetarët, në momentin kur u largua nga burgu. Ai u dërgua në një spital ushtarak, ku ishte parashikuar ti nënshtrohej kontrollit, për të konstatuar se a është ai i aftë që të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në një raport në vitin 2006, të lëshuar nga një spital ushtarak, u theksua se ai nuk është i aftë për shërbim ushtarak, për shkak të çrregullimeve mendore. Në një kumtesë të publikuar dy ditë më parë, e cila në emër të Agcas u përcoll nga avokati i tij, ai theksoi: ”Kumtoi fundin e botës. E tërë bota do të shkatërrohet në këtë shekull. I gjithë njerëzimi do të vdesë në këtë shekull”. Agca ka qëlluar Papa Gjon Palin më 13 maj të vitit 1981. Papa u qëllua në bark, dorën e djathtë dhe të majtë, por plumbat nuk prekën organet e tij vitale. Papa u takua me Agcan në burg në vitin 1983, me çrast e fali atë për krimin që tentoi të kryente. Motivet e tij për këtë sulm mbesin të paqarta. Pas arrestimit të tij menjëherë pas sulmit, Agca kishte theksuar se kishte vepruar i vetëm. Më vonë, ai ka sugjeruar se prapa sulmit kanë qëndruar Bullgaria dhe KGB-ja, por më pas e tërhoqi këtë deklaratë. Deklaratat e tij kundërthënëse kanë frustruar prokurorët për dekada me radhë. Agca ka theksuar se pas lirimit të tij nga burgu do tu përgjigjet pyetjeve në lidhje me sulmin kundër Papës.
Planet e së ardhmes
Agca ishte transferuar në burgun e Ankarasë në vitin 2000, pasi kaloi 19 vite në burgun roman të Regina Coelit. Në Turqi ai vuajti dënimin për vrasjen e gazetarit Abdi Ipekci, një krim që bëri dy vjet para atentatit ndaj Papës. Sipas “Sunday Times” për të cilën ai dha një intervistë një javë më parë, Agca është gati të japë një intervistë televizive për 2 milionë dollarë dhe të shesë të drejtat për dy libra (përfshi edhe biografinë e tij), për një shumë të përgjithshme prej 5 milionë dollarësh. Sipas asaj që raportohet nga gazeta britanike, Akca i ka shkruar edhe Dan Braunit për ti propozuar një libër me titullin “Kodi i Vatikanit”, që më pas të pasohet edhe nga një film. Në letrën ku deklaron se është “jashtëzakonisht i shëndetshëm si nga pikëpamja fizike ashtu edhe nga ajo psikologjike”, ai shpjegon: “Plani im është të shpall fundin e botës dhe të shkruaj Ungjillin perfekt. Do të tregoj krishterimin perfekt që Vatikani nuk e ka kuptuar kurrë”. Megjithatë, ai nuk tregon nëse ka ndërmend të flasë për atentatin e bërë ndaj Papa Gjon Palit II. Botues të ndryshëm evropianë kanë thënë se ishin të interesuar vetëm për të njohur të vërtetën mbi veprimin që nuk është hedhur kurrë dritë. Agca e qëlloi Papën me armë zjarri në sheshin e Shën Pjetrit, më 13 maj të vitit 1981. Avokati i tij, Gokaj Gyltekin, i tha agjencisë “Reuters” se nuk duhet të ketë frikë nga lirimi i tij. “Ai e vuajti dënimin. Nuk ka problem me sistemin gjyqësor. Ai ishte në burg 19 vjet e 11 muaj në Itali për atentatin ndaj Papës dhe 10 vjet në Turqi për ngjarjet e këtushme. Tashmë ai është i lirë. Nuk ka logjikë që të shfaqet ndonjë reagim ndaj lirimit të tij”, - tha Gyltekin.

Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›