Sekretet e vizitës së marshallit Pen Teh Huai në Tiranë
Autori i Lajmit: Androkli DraloLondër, 27 maj 1959 – Vizita e Hrushovit sot në Tiranë mori një rëndësi akoma më të veçantë pas lajmërimit të Pekinit zyrtar se dhe ministri kinez i Mbrojtjes ishte rrugës për të mbërritur në vendin e vogël aleat të Adriatikut. Sekretari i Parë i PKBS-së dhe kryeministri Nikita S. Hrushov, i cili mbërriti në Tiranë ditën e hënë për një vizitë 12-ditore, u shoqërua nga ministri i tij i Mbrojtjes, marshalli Rodion Malinovski, dhe u përshëndet në aeroport dhe nga kryeministri i Gjermanisë Lindore, Oto Grotevol. Lajmërimi për vizitën e përfaqësuesit zyrtar kinez në satelitin e largët u bë nga Radio Tirana, e cila tha se Peng Teh Huai do të mbërrinte në Tiranë ditën e enjte dhe do të qëndronte në Shqipëri 6 ditë. Perëndimi nuk e ka pasur krejtësisht të qartë axhendën e udhëheqësit sovjetik dhe aq më të mjegullt dhe programin e dy udhëheqësve të tjerë komunistë në vendin më të vogël dhe të izoluar komunist, në momentin kur dhe afati i 27 majit për zgjidhjen e çështjes së Berlinit skadoi. Në Tiranë nuk është pranuar as edhe një gazetar i huaj që prej Luftës së Dytë Botërore dhe të vetmet lajme për aktivitetet e Hrushovit këtu, vijnë nga burimet komuniste. Enver Hoxha, udhëheqësi komunist shqiptar, në fjalimin e mbajtur dje për nder të vizitës së Hrushovit, nuk bëri gjë tjetër veç shfaqjes së miqësisë së madhe të popullit shqiptar. Por shumë diplomatë perëndimorë besojnë se ky fjalim kishte lidhje direkte me paralajmërimet ndaj fqinjëve si Greqia dhe Italia që pritet të lejojnë vendosjen e bazave raketore të NATO-s në tokën e tyre. Hrushovi në deklaratën e tij një ditë më parë tha se bazat raketore në Itali dhe Greqi do të ishin një ftesë ndaj Bashkimit Sovjetik për të vendosur bazat e saj në Shqipëri dhe Bullgari. Ministri grek i Mbrojtjes, Evangjelos Averof Tositsas, gjatë një njoftimi për shtyp nga Athina ditën e sotme lajmëroi se Greqia nuk e kishte vendosur ende nëse do ti pranonte këto baza në territorin e saj. “Kur merret një vendim, - tha ai, - ai do të bëhet në interes të vendit dhe kërcënimet nuk duhet të na zmbrapsin nga ky parim thelbësor”. Por kjo vizitë e Hrushovit mund të konsiderohet gjithashtu se është një formë presioni ndaj presidentit jugosllav, Josif Broz Tito. Udhëheqësi sovjetik thuhet se i ka bërë një ofertë të re Titos për tu kthyer nën tutelin e Kremlinit, por që është refuzuar. Radio Tirana lajmëroi se ditën e sotme Enver Hoxha, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu dhe Nikita Hrushovi vizituan liqenin e Shkodrës, një pjesë e së cilit lag edhe territorin jugosllav. Gjatë fjalimit të tij në Shkodër, Hrushovi tha se “Rusia do të përpiqet që të kuptohet me fuqitë perëndimore në konferencën e ministrave të jashtëm në Gjenevë, raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”. Hrushovi tha sipas agjencisë telegrafike shqiptare (ATSH) se Rusia do të bëjë çdo përpjekje që të sigurojë paqen... Nëse ata përpiqen të jenë të sinqertë me ne qoftë dhe në një fjalë të vetme, ne do të bëjmë të njëjtën gjë gjithashtu”, - shtoi Hrushovi. “Por nëse ata na flasin nga pozicioni i të fortit, ne duhet tu themi që të mos lodhen kot, se kjo lojë nuk u leverdis”. Hrushovi pritet të ketë një takim me marshallin Peng Teh Huai gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Marshalli Te Huai është një nga drejtuesit më të sulmuar të “Hapit të Madh Kinez” dhe si një anëtar i Byrosë Politike Kineze ai ka përgatitur një memorandum që shpalos pikëpamjet e tij. Në Tiranë ka shumë mundësi që ai tia shpalosë këtë memorandum Hrushovit përpara se tua prezantojë kolegëve të tij në Pekin.
Shtyhet vizita
Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita S. Hrushov, do të qëndrojë në Shqipëri “për shumë ditë të tjera”, edhe pse vizita e tij zyrtare, me sa duket, përfundoi me firmosjen e deklaratës së përbashkët ruso-shqiptare. Agjencia Telegrafike Shqiptare, “ATSH”, raportoi se Nuridin Mukhitdinov, një anëtar i Presidiumit të Partisë Komuniste Sovjetike dhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të delegacionit zyrtar sovjetik, fluturuan drejt Moskës ditën e sotme për tu rikthyer në vendin e tyre. Hrushovi dhe ministri sovjetik i Mbrojtjes, marshalli Rodion Malinovski, kanë vendosur që të qëndrojnë në Shqipëri dhe për disa ditë të tjera, lajmëroi “ATSH”. Vëzhguesit nga kryeqyteti jugosllav Beogradi spekuluan se një nga këto arsyet e vizitës mund të ishte qetësimi i propagandës së fortë shqiptare kundër Presidentit jugosllav, Josif Broz Tito, për shkak të “titizmit” – komunizmit kombëtar. “Hrushovi drejtoi një sulm shumë të ashpër sot në atë që dukej se objektiv të tijin kishte marshallin e Jugosllavisë, Josif Broz Tito”, - raportoi “United Press International më 31 maj”. Sekretari i Partisë Sovjetike gjatë një fjalimi në Vlorë transmetuar nga “ATSH” dhe monitoruar nga Vjena, iu betua turmës shqiptare se Rusia ishte gati të luftonte “kundër revizionistëve të të gjitha ngjyrimeve, të cilët po përpiqen të na dëmtojnë”. Më pas erdhi vërejtja që iu drejtua vetëm Jugosllavisë. “Ata janë njerëz, të cilët e konsiderojnë veten komunistë dhe kryesisht socialistë, por në të vërtetë ata nuk janë gjë tjetër veçse agjentë të imperializmit”. Vendimi i Sekretarit të PKBS-së për të qëndruar më tepër se vizita zyrtare e parashikuar në axhendë nuk ka bërë asgjë për të kontrolluar lajmet e pakonfirmuara që po qarkullojnë në kryeqytetin jugosllav, se në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, pritet të organizohet një takim i udhëheqësve të bllokut komunist. Ministri kinez i Mbrojtjes, Peng Teh Huai, i cili është duke e vizituar Shqipërinë në të njëjtën kohë, paralelisht me Hrushovin, shprehu mbështetjen e Pekinit për propozimin e udhëheqësit sovjetik... “Ne jemi plotësisht dakord me shokun Hrushov, i cili kohët e fundit është shprehur se Gadishulli i Ballkanit duhet të jetë një gadishull paqeje”, - tha anëtari i Byrosë Politike Kineze.
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010