Seanca e jashtëzakonshme Berisha: “Përmbytja, fatkeqësi natyrore”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën e jashtëzakonshme për përmbytjet në Veri të vendit. Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita mungoi. I pari që mori fjalën në këtë seancë ishte kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër e cilësoi edhe një herë si fatkeqësi natyrore. Kreu i Qeverisë i quajti spekulime të turpshme akuzat e opozitës për keqmenaxhim të situatës në hidrocentrale, duke theksuar se përmbytjet u shkaktuan nga fenomenet e rralla dhe të pazakonta që përfshinë vendin në fundin e dhjetorit dhe në fillim të janarit. Ai shtoi më tej se situata ishte tejet e rëndë, por u krye misioni kryesor ruajtja e jetës së njerëzve. Berisha siguroi më tej se do të bëhet dëmshpërblimi i plotë për banorët. Shefi i Qeverisë, Berisha, kërkoi që kjo fatkeqësi natyrore të shndërrohet në mundësi të mëdha për qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj.
Berisha
“Të gjitha spekulimet që bëhen për sa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. Është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH e shiste atë në tetor, në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore, e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa më të mundshme të përmbytjeve”, - theksoi Berisha përpara deputetëve të mazhorancës të pranishëm në sallën e Kuvendit. Ai u shpreh se kjo fatkeqësi natyrore ndodhi në një kohë të shkurtër dhe po në një hark kohor të shkurtër u morën masa për të përballuar situatën. “Shkodra dhe rrethinat e saj përbën një rast të veçantë për mua, qeverinë dhe deputetët. Të nderuar deputetë, ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënda dhe të pazakonta, në njërën anë, reshjet e mëdha të cilat përfshinë të gjithë verilindjen e Shqipërisë, nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonat bregdetare të Kurbinit dhe Shkodrës shoqëruar këto të gjitha me një rrymë afrikane ajri që ngriti temperaturat në Shqipërinë e Mesme në 24 gradë, bënë që lumenjtë të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj në një hark kohor të shkurtër”,- theksoi Berisha. Në fjalën e tij kreu i Qeverisë ka vlerësuar edhe rolin e mediave si më pozitivin të mbajtur ndonjëherë, duke thënë se kanë qenë pranë zonave të përmbytura për të përcjellë lajmin më të fundit për publikun e gjerë në çdo kohë. “Asnjëherë mediat shqiptare nuk kanë luajtur një rol më pozitiv se në këtë situatë, me raportimin direkt nga zonat e përmbytura”, – u shpreh Berisha. Berisha shtoi se sipërmarrja energjetike e vendit ka zbatuar pikë për pikë rregulloren, ndërsa nënvizoi se në asnjë moment nuk ka ekzistuar rreziku për çarjen e digave në hidrocentrale. Berisha theksoi se gjatë gjithë ditëve të vështira, objektivi kryesor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve, objektiv që u arrit plotësisht. Në mbyllje të fjalës së tij kreu i mazhorancës shprehu mirënjohje për të gjithë ata që punuan me përkushtim në ndihmë të të prekurve nga kjo fatkeqësi, ndërsa garantoi qytetarët e Shkodrës për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara. “Dua ti garantoj qytetarët e Shkodrës dhe Nënshkodrës se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull të ri mundësish dhe projektesh në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet çdo lloj përmbytje me kostot më minimale”, - tha Berisha.
Topalli: “Keqardhje për karriget bosh”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fjalën e saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, duke shprehur keqardhje për karriget bosh, theksoi se qeveria e përfundoi me sukses operacionin e emergjencës në zonat e përmbytura. Sipas saj, suksesi i parë ishte shpëtimi i jetëve, evakuimi i gjësë së gjallë dhe shumica nuk është dëmtuar, shpërndarja e 400 tonë ushqime, ushqim për bagëtitë dhe ndihmë mjekësore. Gjithashtu, Topalli duke iu drejtuar kreut socialist Rama theksoi se ai me një montazh filmik kishte bërë që ngjyra e ujit të ishte në ngjyrë gjaku dhe, sipas saj, vetëm një mendje e sëmurë mund të pikturonte ashtu zonën e Shkodrës. “Ata që telefonuan për të përhapur panik, gabuan. Gjatë këtyre ditëve të kësaj fatkeqësie që ndodh një herë në 100 vjet, zoti Edvin, jashtë çdo morali shpresonte atë që kurrkush nuk do të donte të ndodhte. Ndërsa theksoi se Rama detyroi këshilltarët bashkiakë që të votonin kundër fondit të emergjencës ndaj Shkodrës. “Dje ai me një montazh filmik të falsifikuar u tregoi shqiptarëve hartën e zonave të përmbytura”,- tha kryeparlamentarja.
Përmbytjet, çdo deputet i PD dhuron 500 mijë lekë nga paga
Deputetët demokratë solidarizohen me të përmbyturit në veri të vendit duke kontribuar për ta me 500 mijë lekë nga paga e vet. Vendimi është marrë dje nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Propozimi u bë nga një grup deputetësh dhe ai u miratua me unanimitet. Mbledhja vlerësoi se, pavarësisht qetësimit dhe përmirësimit të situatës në zonat e përmbytura, është e domosdoshme që të mos shkëputet asnjë ditë vëmendja për të ndihmuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë banorët në nevojë. Grupi parlamentar i PD-së shprehu mbështetje të plotë dhe vlerësoi punën e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore të angazhuara në terren.
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010