E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj gjyqtarit Konomi, lëvizje në policinë e Vlorës

VLORE- Vrasja në mënyrë demonstrative mu në qendër të qytetit të Vlorës e gjyqtarit Skerdilajd Konomi sjell furtunë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka firmosur një sërë shkresash për lëvizje e ndryshime të emrave të posteve kryesore drejtuese të kësaj policie.

Ndryshime dhe rrokadë emrash në Drejtorinë e policisë së qarkut Vlorë. Ndryshimet kane prekur gjithe sistemin drejtues te kesaj policie.

Nga sot në postin e drejtorit të policisë së qarkut të Vlorës do të ulet Nazmi Kotarja. Ai ulet në vendin e Ylli Metkos, i cili transferohet në postin e Drejtorisë së Shkollës së Policisë në Tiranë. Ky post ishte mbajtur deri tani nga Nazmi Kotarja.

Në postin e zv drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Vlorës emerohet Elidon Veizi, deri dje zv drejtor në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Veizi zëvendëson në Vlorë, Myftar Demirlikën.

Në postin e Shefit të komisariatit në Vlorë emërohet Alfred Elezi i cili vjen në këtë post pas së njëjtës detyrë që ka ushtruar në komisariatin e Mirditës. Elezi zëvendëson në Vlore Nikolin Thanën.

Në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi, më 9 shtator, në prokurorinë e Vlorës është hapur hetim për mosveprimin e forcave të policisë për t’i dhënë ndihmë njeriut të drejtësisë.

Nga informacionet e marra nga dëshmitarët okularë, si dhe referuar pamjeve filmike që ndodhen në duart e hetuesve, rezulton se punonjësit e policisë dallohen mjaft qartë duke biseduar në telefon´apo duke u munduar të bllokojnë trafikun, por asnjëri prej tyre nuk shpejton t’i japë ndihmë gjykatësit të plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak minuta më vonë.

Përpos kësaj, edhe transportimi i gjykatësit drejt spitalit i vendosur në bagazhin e një makine policie, për njerëzit e drejtësisë ishte një fyerje mjaft e madhe.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›