Vrau kushëririn, mbetet në burg 55-vjeçari
Shkak i përplasjes mes tyre ka qenë një debat për djalin e viktimës. Gjatë seancës së djeshme dy autorët janë shprehur të penduar për vrasjen
SHKODËR Arrest në burg ka qenë vendimi i gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër për Fatos Lushajn dhe Myslim Velajn, që akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim, të 77-vjeçarit Sulejman Velaj, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Qafë Gradë, komuna Shkrel, të Malësisë së Madhe. Gjykatësi Besart Kackini ka vlerësuar të drejtë kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të arrestit të 21-vjeçarit Lushaj dhe 55-vjeçarit Myslim Velaj, si dhe mbajtjen në gjendje të arrestit me burg të të dy të dyshuarve. Bazuar në provat e prokurorisë, shkak i kësaj vrasjeje është bërë një konflikt familjar mes dy kushërinjve, Sulejman Velaj dhe Myslim Velaj. Viktima, 77-vjeçari Sulejman Velaj, është bërë shkas për një grindje në familjen e Myslim Velaj, i cili për të vrarë djalin e xhaxhait të tij, ka kontaktuar me 21-vjeçarin Lushaj për ta ndihmuar në krim. Ky i fundit me një armë gjahu që e mbante me leje, ka shkuar së bashku me 55-vjeçarin në banesën e viktimës, ku në oborr teksa po punonte e ka qëlluar nga një distancë e afërt. Vdekja e 77-vjeçarit ka qenë e menjëhershme, ndërsa dy të dyshuarit janë larguar për t’u vetëdorëzuar disa orë pas krimit. Gjithashtu, në banesën e 21-vjeçarit u gjetën dhe dy armë automatike që i mbante pa leje. Në sallën e gjyqit dy të dyshuarit kanë shfaqur pendesë për krimin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar për 55-vjeçarin arrest në shtëpi, si kryefamiljar që mban familjen. Gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke i lënë në burg dy të dyshuarit .